SOT

Genci, shembulli i përkushtuar në punën praktike

Qysh nga fillimi i muajit shtator, 16-vjeçari Genc Beqiri u bë pjesë e stafit të kafenesë “Tin Tin”.

E gjitha kjo e mbështetur nga Qeveria e Kosovës si pjesë e masës 1.6 ku parashihet financimi i punës praktike për personat me aftësi të kufizuara.

Çdo ditë pune për Gencin fillon herët. Ndonëse me gjysmë orari ai mundohet që t’u ndihmojë kolegëve të tij.

Deri më tani thotë se po i pëlqen shumë.

Shërbimi i kafesë, ushqimit e pastrimi i tavolinave janë disa prej punëve që i kryen Genci.

Riada Statovci nga Down Syndrome Kosova thotë se puna praktike u ndihmon në aftësim profesional edhe më tepër personave me aftësi të kufizuara.

Sipas saj, deri më tani janë punësuar 89 persona nga krejt Kosova.

Integrimi i kësaj kategorie edhe në sektorin privat shërben si shembull për krejt shoqërinë, thotë Statovci.

Ndonëse Genci ende nuk ka përmbushur 1 muaj punë, e do të paguhet vetëm 170 euro, ai ka filluar të mendojë për kursimet e dhuratën e së ardhmes. Një makinë të zezë ka dëshirë ta blejë, thotë ai.

Menaxheri i “Tin Tin” thotë se janë të kënaqur me punën praktike të 16-vjeçarit. Pavarësisht se Qeveria e Kosovës e mbështet edhe punëdhënësin me 100 euro, ky i fundit ka vendosur që mjetet t’i dhurojë në Down Syndrome Kosova.