SOT

Gati 1.5 milionë lule do të mbillen këtë vit në lulishten e Prishtinës

Besim Berisha është vetëm njëri nga 24 punëtorët e lulishtes publike, të cilët kanë filluar me procesin e mbjelljes së farave për këtë vit.

Dëfrim Nafezi, koordinator i tyre, thotë se fazën e mbjelljes tashmë e kanë nisur e planifikojnë të mbjellin mbi 1 milion sosh.

“Ne për momentin gjendemi në serrat e lulishtes së Hortikulturës, lulishte e cila ka 24 punëtor, merren me kultivimin e luleve, të cilat shërbejnë për mbjellje në Prishtinë. Jemi në fazën e fillimit, dhe gjatë kësaj stine planifikojmë të mbjellim 1.400.000 lule”, tha Nafezi.

Hapësirat e gjelbëruara në qytet zbukurohen nga mbjelljet e lulishtes e, sipas Nafezit, llojet e luleve u përshtaten kushteve që ofron kryeqyteti.

“Lulishtja mundohet ta mbulojë qytetin e Prishtinës me lule, prej tyre janë diku 6 lloje të luleve, janë lule që i përshtaten kushteve klimatike që janë në Prishtinë. Prej tyre janë Salvia, Petonia, Begonia, Tagetis dhe Viola”, tha ai.

E kur flitet për kushtet, koordinatori flet edhe për ato të punëtorëve, për të cilat ka edhe kërkesa.

“Tash kushtet nuk janë edhe aq të mira, lulishtja është e vjetër, e ndërtuar, por megjithatë në këto kushte mundohemi që t’i kryejmë të gjitha punët të cilat nevojiten, dhe e arrijmë suksesin 100%, duke pas parasysh se punëtorët kanë vullnet të punojnë edhe në këto kushte. Kërkesat janë që të kemi një hapësirë më të madhe e të kemi disa serra më moderne”, shtoi Nafezi.

Sipas kryeshefit Isak Rakovica, ndërmarrja “Hortikultura” daton që nga viti 1968 në Prishtinë. Kjo ndërmarrje merret me mirëmbajtjen e luleve e të bimëve në kryeqytet që nga prodhimi i tyre e deri te kujdesi në hapësirat publike.

Rakovica thotë se pjesët e gjelbëruara në kryeqytet nuk janë të mjaftueshme, kjo për shkak të planeve jokorrekte nga Komuna.

“Ne presim që Komuna e Prishtinës në të ardhmen, sidomos me ardhjen e qeverisë së re, të ketë punë më profesionale në këtë lëmi. Ne nuk mund të themi se në të kaluarën ka pasur një punë profesionale nga Komuna me projektimet e sipërfaqeve të reja gjelbruese sepse ne duhet të kemi të kjartë gjërat, sepse Prishtina është zgjeruar dhe kërkesat janë më të mëdha. Numri i banorëve është rritur por edhe numri i banorëve që vijnë brenda ditës me e frekuentu Prishtinën është rritur”, u shpreh Rakovica.

Një pjesë e tokës për shfrytëzim afër Liqenit të Badovcit i është dhënë ndërmarrjes nga Komuna, por Rakovica thotë se nuk e kanë kërkuar e nuk iu përshtatet për punën që e bëjnë.

“Pjesa ku është dhuruar, ne nuk e kemi kërkuar, ne kemi kërkuar një pjesë krejt tjetër, kemi kërkuar nga komuna 18 hektarë në pjesën që është zona kadestrale e Hajvalisë e na është dhanë një pjesë ku në mes është rruga. Vendi nuk është adekuat për ngritjen e lulishtes, është vend i pjerrët, toka nuk është kualitet i mirë dhe sistemi i ujitjes pra burimet janë shumë të thella”, tha ai.

Ndërmarrja ka nevojë për hapësira të reja punuese e, sipas Rakovicës, bisedimet me Komunën e Prishtinës do të vazhdojnë deri në marrjen e një vendimi konkret.