SOT

Gardianët e “Dyzit” dhurues të rregullt të gjakut

Nga qendra kryesore deri te burgu i sigurisë së lartë, ekipi mobil nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut ka bërë rrugë me qëllimin për t’i rritur rezervat e gjakut, të cilat i marrin çdo ditë nga vullnetmirët.

Të gjitha pajisjet një nga një po i bartin që t’u sigurojnë kushte të përshtatshme dhuruesve të gjakut këtu.

Besart Zyhrani është vetëm njëri prej stafit nga burgu i sigurisë së lartë në Podujevë, i cili në mënyrë vullnetare dhuroi gjak. Ai apelon edhe te të tjerët që ta praktikojnë këtë praktikë, e me të cilën shpëton jetë. 

“Gjak kam dhuruar 9-10 herë, është eksperiencë e mirë kur mundemi të ndihmojmë dikë me dhurimin e gjakut. Jem dhurues të rregullt të gjakut. Bëj thirrje te të tjerët që kush ka mundësi të dhurojë gjak”, deklaron Zyhrani. 

Doktoresha Merita Bujupi, tregon se brenda ditës mund të ketë deri në tri aksione të tilla nga ekipet mobile nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut. Dhurimi i gjakut nëpër terrene, sipas saj, po kontribuon në rezervat e gjakut. Ajo thotë se edhe nëpër fshatra po organizohen personat e vullnetit te mirë në mënyrë masive që të dhurojnë gjak.

“Dhurimi i gjakut është një akt human dhe nevoja për gjak është jashtëzakonisht e madhe. Për këtë, stafi ynë është angazhuar që të organizojë aksionin për dhurimin e gjakut nëpër institucione publike dhe private. Sot jem duke e zhvilluar aksionin në burgun e sigurisë së lartë, këtu në Dyz. Këtu janë përgjigjur një numër i mjaftueshëm i dhuruesve. Këtu kemi dhurues të cilët janë të shumëfishtë. Para çdo aksioni e caktojmë ku të shkojmë sa mundet me qenë numri i dhuruesve përafërsisht. Brenda ditës mundemi me zhvillu një, dy apo tri aksione të tillë”, thekson Bujupi. “Aksione të shumta po kemi edhe në shumë fshatra të Kosovës, të cilat përgjigjen në mënyrë masive. Pritja dhe interesimi i tyre është për t’u lakmuar”, shton ajo. 

Erëza Krasniqi, infermiere qe 3 vjet, i është bashkuar Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut. Përmend disa nga eksperiencat rreth personave që kanë dhuruar gjak. Thotë se e gëzon fakti se në punën e saj ka takuar persona që kanë arritur numër treshifror të dhurimit të gjakut. 

“Varësisht prej departamentit ku punojmë, kemi edhe eksperiencën tonë. Në shumicën e rasteve jam pjesë e ekipeve të terrenit dhe realisht është kënaqësi shumë e madhe. Vetë fakti që kemi të bëjmë me njerëz të shëndetshëm, të vullnetit të mirë që dëshirojnë të shpëtojnë jetë, unë zakonisht i quaj si heronj të ditës. Realisht këta shpëtojnë jetë. Gjithmonë jemi në komunikim me dhuruesit e gjakut. Kemi dhurues të rregullt, që dhurojnë gjak çdo tre muaj. Pra, kemi persona që e kanë arritur numrin treshifror të dhurimit të gjakut”, deklaron Krasniqi. 

Grupi i Kastriot Kuliqit është 0 pozitiv dhe porsa përfundoi punën e tij si laborant në aksionin e sotëm, u bë dhurues i gjakut. 

Kuliqi si punonjës në Qendrën e Transfuzionit të shpeshtë e ka dhurimin e gjakut.

“Si punonjës i transfuzionit të gjakut është një eksperiencë e mirë, është një privilegj i madh si staf shëndetësor. Ndërsa edhe sa u përket organizimeve të aksioneve në terren edhe kjo është e veçantë. Kemi punë me dhurues të vendeve të ndryshme. Në pjesën tjetër si dhurues i gjakut, unë që nga shkolla e mesme jam dhurues i gjakut. Bashkëngjitja në aksionet e dhurimit të gjakut, ne si staf shëndetësor e kemi praktikuar shpesh”, deklaron Kulqi. 

Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut ballafaqohet më së shumti me mungesë të grupeve të gjakut që kanë RH negative.