Palestra “13 qershori’’ u bë pikëtakimi kryesor i shumë filloristëve e gjimnazistëve nga qyteti i Suharekës mesditën e së enjtes.
Në këtë sallë sporti u mbajt për herë të parë gara komunale në sportin e pingpongut.
Mes shumë pjesëmarrësve nuk mungoi edhe audienca e shumtë në numër prej të gjitha shkollave të ulëta e gjimnazeve të kësaj komune.
Sipas organizatorëve të kësaj gare, qëllimi kryesor është ekspozimi sa më i madh i këtij sporti që njihet pak në vend.
Një garë e këtij niveli u prit mirë edhe nga nxënësit, për të cilët një nivel të tillë garash dhe një organizim i këtij niveli duhet të mbahet më shpesh.
Lorik Kallaba tregoi se përkundër përvojës së tij në këtë sport është ritmi i lartë i lojës dhe dëshira e madhe për të fituar ajo që e bën edhe më interesante garën mes nxënësve.
Garat u ndanë në 2 sete, ku secila shkollë u përfaqësua nga tre lojtarët më të mirë.
Sipas organizatorit, fituesin e këtij turneu e pret gara në nivelin regjional që zhvillohet në mes të këtij viti.
Hatixhe Sopaj fitoi finalen e kategorisë së vajzave me rezultat 2-0 në sete.
Derisa në atë të djemve fitues dolën Festim Bujari e Lorik Kallaba
Për të gjithë këta nxënës ky turne është mundësia më e mirë që të vihen në pah aftësitë e tyre në këtë sport, ku edhe mund të nisin karrierë.
Sipas tyre, interesimi i të rinjve në Suharekë është shumë i madh që sportin e pingpongut ta zhvillojnë edhe më tepër porse me përkrahjen e duhur institucionale.