SOT

Futbollistja nga Prishtina shkëlqen brenda dhe jashtë vendit

Kupa në dorën e saj e bën atë dhe lojtaret e tjera kampione të Kosovës.

Qëndresa Krasniqi është pjesë e klubit futbollistik “Hajvalia”, i cili së fundmi doli triumfues kundër Mitrovicës.

Lojtarja, e cila me grupin do të përfaqësojë Superligën e Femrave, numëron një sërë suksesesh në karrierën e saj sportive.

Ajo flet për lojën e fituar së fundmi e për fazën përgatitore të saj.

E filloi në lagje për të përfunduar në fushat e shumë ekipeve të njohura.

Krasniqi thotë se si fëmijë luante me vëllain e me shokët.

Ani pse me paragjykime e komente të shumta, këtë periudhë ajo e cilëson si më të artën në jetën e saj.

Futbollistja tani është pjesë e skuadrës “Hajvalia”, mirëpo ajo kishte luajtur edhe për klube ndërkombëtare.

Kampionati zviceran, Kombëtarja e Shqipërisë, klubi “Vllaznimi” i Shkodrës e Klubi i Prishtinës” janë disa nga pjesëmarrjet e saj për shumë lojëra.

Mesfushorja konsideron se arritja e saj më e madhe është pjesëmarrja në ekipet vendase e ato jashtë vendit.

Përvoja e tillë për të është shumë e rëndësishme, sepse e pasuron karrierën sportive që ka.

Loja e parë me ekipin e “Hajvalisë” në Champions League është ajo që do ta mbajë mend gjatë.

Nëse rezultatet harrohen, emocionet do të kujtohen gjithmonë në lojëra me ekipe të suksesshme.

Sporti i futbollit që luhet nga gjinia femërore, sipas futbollistes, po merr shumë përkrahje.

Ajo thotë se kur u mundësohen kushtet edhe suksesi nuk do të mungojë.

Vera për Krasniqin e vajzat e “Hajvalisë” do të jetë plot stërvitje e ushtrime.

Lojtarja pret që të bëjnë maksimumin për të sjellë tituj fitimtarë në Kosovë.

Lojtarët kosovarë, përveç sukseseve në sporte në Kosovë, po arrijnë të depërtojnë edhe në ekipet ndërkombëtare duke zgjeruar karrierën e tyre personale, por edhe duke përfaqësuar vendin.