SOT

Fustani “pandemik” nga atelieja “Ankand”

Shpeshherë orët e hershme të mëngjesit e zënë këtu me makinën e qepjes.

E, sidomos tash, që sezoni i verës ka filluar, edhe dasmat po ashtu.

Kreatorja nga Presheva, Nerimane Isahu, punën me kreacione e filloi në vendlindje, por po e vazhdon në kryeqytetin e Prishtinës.

Nga vizatimi i dizajnit e deri te detaji më i vogël në fustan, Isahu përkujdeset vetë, duke shkrirë në kreacionet e saj, idetë që i vijnë natyrshëm.

E edhe pse koncepti i fustanit të bardhë, elegant e më i veçantë nga të tjerët, nuk ndërron asnjëherë, prapë është moda që ndërron varësisht nga viti, ajo që e bën diferencën.

Sipas kreatores, e thjeshta po mbizotëron këtë vit.

Sa më pak komplikime në veshje, aq më bukur do të jetë.

Fustani “pandemik” siç e quan ajo, është krijimi i saj i veçantë, bazuar në periudhën e pandemisë.

Qëllimi i dizajnimit të këtij fustani, sipas kreatores, është çmimi më i përballueshëm, si dhe punimi më i thjeshtë në të.

Kur flasim për pandeminë, edhe Atelie Ankand si shumica e bizneseve është përballur me vështirësi, e të pakta ishin edhe ndihmat nga shteti.

Përveç fustaneve të nusërisë, kreatorja rrëfen se thjeshtësia po kërkohet edhe në fustanet elegante, qoftë nga materiali, qoftë nga ngjyrat.

Ndonëse, atelieja me lokacion gjendet në Prishtinë, fustanet e kreacionet e saj mund t’i shihni edhe jashtë Kosovës.

Isahu rrëfen se krijimet e saj po pëlqehen edhe nga të huajt.

E kur i krahason shijet shqiptare me shijet e qytetarëve të vendeve të huaja, ajo thotë se gratë e kulturave tjera preferojnë sa më pak detaje në veshjen e tyre.

Fustanet e nusërisë e Atelie Ankand jepen edhe me qira, për të gjitha vajzat që e gjejnë veten brenda thjeshtësisë së disejnatores nga Presheva.