SOT

Fuqia e femrës e shprehur përmes ngjyrave

Kate Moss është modelja e njohur të cilën ajo po e pikturon.

E versioni i modeles këtë herë vjen nga artistja 20-vjeçare, Medina Syla.

Syla rrëfen se talentin e ka zbuluar qysh në shkollë fillore, aty ku orën e artit e priste me padurim.

Krahas Kate Moss, Marlin Monroe është ndër punimet më të preferuara të artistes, me të cilën ajo krenohet.

Secili artist karakterizohet nga mënyra e paraqitjes së punimeve.

20-vjeçarja thotë se ndonëse pëlqen të eksperimentojë, në pikturat e saj gjithmonë dallohet motivi i fuqizimit të femrës, duke filluar që nga ngjyrat e ndezura.

E kur jemi te teknikat, ajo i ka llojet e ngjyrave me të cilat ndihet më e lirshme për të eksperimentuar e me të cilat e ka pikturuar edhe Mona Lisën, por në një version më ndryshe nga origjinali.

Përveç artiste, ajo është edhe studente e gazetarisë, e kjo e fundit, sipas Sylës, po i ndihmon shumë edhe në art.

Pikturimi e relakson, mirëpo nga kjo Syla ka edhe përfitime financiare, meqenëse puna e saj po vlerësohet edhe nga adhuruesit e tjerë të artit.

Ajo bën piktura të personalizuara nga të cilat, sipas saj, më të kërkuarat janë portretet.

Qetësimin që Syla e merr nga piktura do të dëshironte ta përjetonin të gjithë, andaj ajo i inkurajon të gjithë ata që kanë pak dëshirë brenda vetes ta zhvillojnë.

20-vjeçarja e sheh të ndritur të ardhmen e saj e të lidhur me pasionin më të madh, artin. Hapja e një ekspozite me motive femërore është qëllimi i saj, për të cilin ajo mëton se nuk do të ndalet së punuari.