Edhe në këtë fundvit puna është bërë më dinamike në Shoqatën Down Syndrome Kosova.
Grupe-grupe vijnë anëtarët e shoqatës dhe i përvishen punës për të punuar kartolinat e krijuara nga ta.
Ka kohë që përdorimi i kartolinave nuk është më si dikur. Por ato të punuara nga duart e anëtareve të kësaj shoqate kanë shtuar interesimin për të shkëmbyer kartolina mes vete.
Por për ta përfunduar një kartolinë të tillë patjetër se duhen letra, ngjyra e mjete të tjera, por nganjëherë bizneset private janë ato që ndihmojnë furnizimin me to, porse nga niveli qendror ende mungon ndihma e duhur.
Entuziazmin për të ardhur në Shoqatë dhe për të krijuar diçka asnjëherë nuk mungon, e madje ata bëjnë edhe gara mes vete se cili nga ta po e punon kartolinën më të bukur.
Kartolinat e shumëllojshme e me motive festash të gjitha janë të ekspozuara në zyrat e Shoqatës, e për ta blerë një të tillë është shumë e lehtë dhe me një kosto modeste.
Numri i anëtarëve është i shumtë e edhe angazhimin që e ofrojnë është maksimal. Ata duan që kartolinat nga ta të gjejnë interesimin e të tjerëve dhe t’u shpërblehet puna e madhe që bëhet këtu.
Dionisi është një nga ta që pothuajse çdo ditë rruga e sjell këtu, e ta krijosh një kartolinë, sipas tij, është punë tejet e lehtë.
Kartolinat punëdore kanë kohë që kanë filluar të krijohen nga anëtarët e Shoqatës, të cilët i punojnë me ndihmën e punonjësve socialë.
Qëllimi i kësaj veprimtarie ka për qëllim përfshirjen e personave me Sindromën Down dhe përveç punësimit, ka një rol te rëndësishëm në fuqizimin e aspekteve të socializimit dhe krijimtarisë te personat me Sindromën Down.