Një fshat, jo larg qendrës së qytetit të Vitisë, është shumë i dashur për banorët e atjeshëm e së fundmi edhe për të huajt. Buzoviku po shihet si shumë tërheqës për të tjerët, siç thonë banorët.
Interesimi për blerjen e parcelave çdo ditë e më shumë po shtohet për shkak kushteve infrastrukturore e madje edhe për bukuritë natyrore që posedon.
Dikur Buzoviku kishte qenë i banuar nga malazeztë, por në vitet ‘60 banorët nga fshati Lubishtë filluan të vinin në këtë vend, e që atëherë i tërë fshati është i banuar nga kosovarët e Lubishtës.
Kryesuesi i fshatit thotë se Buzoviku gëzon një natyrë mbresëlënëse, e ajo që e veçon më së shumti është cilësia e ajrit, e madje është menduar që pikërisht këtu në të ardhmen të ndërtohet një spital i pulomologjisë.
Hesat Shefkiu është njëri ndër ish-banorët e Buzovikut, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, porse situata ndërkohë e detyroi të zhvendosej nga vendlindja.
Meqenëse tashmë është në pension, Shefkiu thotë se fshatin e lindjes nuk e ndërron me asnjë vend tjetër, e madje edhe fëmijët e tij e kanë bërë të njëjtën gjë, nga Amerika u rikthyen përsëri në Kosovë.
Se fshati gëzon kushte të mira këtë e dëshmon edhe Njazi Bilalli, i cili ka arritur të ketë një biznes fitimprurës në Buzovik.
Banorët kryesisht merren me bujqësi e blegtori, por mundësitë për të zgjeruar edhe biznese të tjera janë shumë të mëdha.
Fshati ka përparësi për shkak afërsisë me qendrën, porse edhe lartësia mbidetare në afro 1 mijë metra ka bërë që të huajt të fillojnë ndërtimin e shtëpive të vikendit këtu.