Forma e tyre si zemër dhe ngjyra e gjallë të tërheqin shikimin dhe të shtojnë nepsin për t’i shijuar. Edhe pse kanë shije të ëmbël, dredhëzat kanë pak kalori dhe janë mjaft të mira për një dietë dobësimi.
Ndër të mirat e çmuara është përmbajtja e lartë e vitaminës C dhe flavonoidës. Po të bëjmë një krahasim, pesë dredhëza kanë sasi të kësaj vitamine sa një portokall.
Për më tepër kjo frutë është një antioksidant që lufton radikalet e lira dhe plakjen e lëkurës. Janë të nevojshme për të luftuar rrudhat, por edhe për të forcuar sistemin imunitar dhe për të mbrojtur zemrën, transmeton tch. Ato ndihmojnë në prodhimin e kolesterolit të mirë dhe qëndrueshmërisë së tensionit të gjakut. Dredhëzat janë të pasura me ujë dhe përmbajnë shumë pak kalori. 100 gramë dredhëza kanë vetëm 30 kalori. Po ashtu, janë ëmbëlsira ideale për t’u shijuar, duke shtuar dhe pak lëng limoni.
Pavarësisht se sot dredhëzat i gjejmë gjatë gjithë vitit, duhet të tregohemi të kujdesshëm kur e kanë stinën, që është fundi i prillit dhe fillimi i majit. Zgjidhini të pjekura, të forta dhe pa shenja. Mos u tërhiqni nga ngjyra intensive apo përmasa e frutave pasi ka mjaft varietete. Kur i blejmë, i heqim menjëherë nga kutia dhe i vendosni butësisht në një enë pa i mbivendosur. Hiqni pjesët që janë të dëmtuara dhe mos harroni t’i konsumoni dy ditë nga dita e blerjes. Nuk duhet t’i lajmë derisa t’i vendosim në tavolinë.