Është kjo skulptura e titulluar “Këmbëkryq”, e realizuar nga Eliza Shala.
Nëpërmjet kësaj vepre arti Shala ka paraqitur Faik Rexhepin, ish-punëtor i Feronikelit, i cili në vitin 1990 ndër shumë protestues të tjerë bënte rezistencë i ulur këmbëkryq.
Artistja 21-vjeçare tregon se si e fitoi projektin nga Komuna e Prishtinës, që tashmë e solli këtë skulpturë në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Punimi i Eliza Shalës, përpos vetë ngjarjes, u inspirua nga fotografia e shkrepur atë ditë nga fotografi i njohur Hazir Reka.
Bashkëpunimi i artistes me fotografin e familjen Rexhepi për ta realizuar projektin ishte i mirë, tregon ajo.
Kur shpalosi idenë para Faik Rexhepit dhe familjes së tij emocionet ishin të shumta.
Në atë ditë, pjesë e protestës e rezistencës ndaj policisë serbe ishte edhe Hajredin Gagica.
Ndër të tjera Gagica ishte edhe koleg e punonte në një zyrë me Rexhepin.
Ai rrëfen se si u organizuan që të niseshin nga puna për në qendër të Prishtinës atë ditë të 30 gushtit të vitit 1990.
Pasi që fotografia ikonike u shkrep, tregon Gagica, Faik Rexhepi pati një lëndim e më pas një qytetare e mori nga duart e policisë dhe e dërgoi në shtëpinë e saj për mjekim.
Kolegu i tij e kujton brengosjen që pati atë ditë, derisa tregon se me sa vendosmëri kërkonin të drejtën për t’u ulur këmbëkryq në vendin e tyre.
Skulptura u përurua në sheshin “Zahir Pajaziti” në datën 28 Nëntor, Ditën e Flamurit.