SOT

Fitime materiale me punë nga shtëpia

Katrore, rrumbullake, të vogla e të mëdha janë shportat e krijuara nga dora e Albulena Sfishtës.

Ndonëse ka vetëm 4 muaj që ka filluar me shitjen e shportave shumëngjyrëshe, sipas Albulenës, fillimet e kësaj ideje burojnë vite më parë.

Më shumë kërshëri e ruan edhe punimin e parë.

Shporta me ngjyrë të verdhë e fjongo të gjelbër vazhdon të shërbejë si një dëshmi, kujtim i punës së palodhshme e motiv që ajo të vazhdojë më tej me këtë biznes.

Meqë i duhet të punojë në shtëpi, këtë pasion mundohet ta realizojë në një kohë kur nuk kujdeset për djalin e saj të vogël.

“Lena’s Creation” janë produkte që porositen nga persona të cilët janë të pasionuar pas sistemimit të gjërave dhe jo vetëm. Disa prej tyre janë të destinuara edhe për prindërit me fëmijë të vegjël e disa për ata që posedojnë shumë produkte të grimit.

Shportat e Sfishtës veçohen për materialin që kanë e të cilat mund të lahen deri në 30 gradë.

I pashmangshëm është fitimi financiar, por sipas Albulenës më i rëndësishëm është të dalësh fitues nga ana psikike.

Çmimi i produkteve nga “Lena’s Creations” sillet nga 15 deri në 30 euro.