SOT

Filloi vetëm si pasion në not, tani 17-vjeçarja e përfaqëson kosovën në kampionatin botëror

Para 10 vjetësh e filloi vetëm për aktivitet fizik, por dalëngadalë iu shndërrua në pasion, e madje shumë shpejt arriti ta përfaqësonte edhe vendin në shumë shtete të Evropës.

17-vjeçarja Riga Shala thotë se brenda ujit është vetvetja, e shpeshherë i duket sikurse brenda tij është jetesa e saj.

“Me not kam filluar të merrem qysh kur kam qenë 10-vjeçare, gjithmonë më ka pëlqyer sporti e në veçanti noti, shumë shpejt ky hobi im u shndërrua në pasion. Më pas fillova të merrja pjesë në shumë gara, e në shtete të ndryshme të Evropës arrita të përfaqësoj vendin dhe klubin ku po stërvitem. Uji më pëlqen shumë, gjithmonë kam pasur një raport të veçantë me të, asnjëherë nuk kam pasur frikë, gjithnjë jam ndier mirë kur kam qenë duke notuar”, tregon ajo.

Riga në garën e Kupës së Kosovës u shpall sportistja më e mirë duke grumbulluar pikët nga tri disiplina të ndryshme, e performanca e saj e jashtëzakonshme bëri që të siguronte kualifikimin për në Kampionatin Botëror të Notit, i cili do të mbahet në dhjetor të këtij viti në Hungari.

“Më 16 nëntor u mbajt Kupa e Kosovës në not, ku arrita të shpallem sportistja më e mirë e garës. Përveç medaljeve të fituara, 9-10 nëntor u mbajt gara ndërkombëtare ‘Skopje Open’ e aty arrita të marr shumë pikë, ku sigurova vendin tim si përfaqësuese e Kosovës në Kampionatin Botërorë të notit i cili do mbahet më 10-15 dhjetor në Budapest të Hungarisë. Ka shumë notues me famë botërore, unë dua të ndjek shembullin e të gjithëve, kam shumë synime për të ardhmen. Synoj të mbërrij normën olimpike për Olimpiadën e vitit 2028, dua ta ngre veten në ranglista evropiane dhe botërore dhe të siguroj medalje kudo që shkoj”, thotë ajo.

17-vjeçarja tregon se tashmë përditshmëria e saj është mirë e planifikuar dhe disiplinat që duhen respektuar bëjnë që ajo më pas të ketë rezultate të mira në këtë sport.

“Në sportin e notit duhet ditur teknikat, duhet edhe të ushqehemi mirë me qenë i shëndetshëm. Unë jam me fat që kam mbështetjen e familjarëve, shoqërisë, klubit e të gjithëve. Unë notit i përkushtohem shumë, kam 6 stërvitje në javë në not dhe 3 stërvitje në fitnes, po ashtu jam edhe nxënëse shembullore në shkollë”, thekson ajo.

E trajnerja e klubit të notit “Prishtina”, Vlera Llalloshi, thotë se Riga dhe sportistët e tjerë të klubit për çdo ditë punojnë që të mbërrijnë majat e synuara, andaj edhe pritshmërinë në sukseset e tyre gjithnjë e kanë të lartë.

“Me Rigën jemi bashkë qe 2 vjet, kemi bërë punë të jashtëzakonshme gjatë gjithë vitit, kemi planifikuar trajnimet stërvitore, kalendarin e garave, kampet përgatitore gjithmonë me mbështetjen e prindërve. Riga është një sportiste shumë e përkushtuar ndaj sportit të notit, ajo jo vetëm që bën një punë të jashtëzakonshme në ujë, por ushtron edhe jashtë ujit, e po ashtu balancon jetën e notit me atë të shkollës. Ajo gjithmonë ka qenë e përkushtuar dhe e kemi ditur që me të do të kemi shumë sukses”, thekson Llalloshi.

Sipas saj, suksesi i notueses nuk ka qenë krejt i rastësishëm, pas përkushtimit dhe sakrificave të mëdha.

“Ky rezultat i Rigës nuk erdhi rastësisht, me të kemi punuar dhe kemi sakrifikuar shumë, gjithmonë kemi ditur qëllimin dhe objektivat me Rigën, po ashtu edhe me pjesën tjetër të klubit, kur kemi pa që Riga ka arritur të marrë 620 pikë që është një rekord për klubin me mbërri aq shumë e madje u rendit në ranglistat me më të shquarit në Kosovë, ka qenë një emocion i veçantë dhe presim ende më mirë. Ne e dimë që sporti i notit fillon qysh në moshën e hershme, duhet sa më i ri në mënyrë që benefitet e notit të jenë të mëdha, por serioziteti i këtij sporti fillon në moshën 17-vjeçare dhe përkushtimi gjithmonë duhet rritur ndër vite”, deklaron Llalloshi.

Sportistët thonë se fatmirësisht tashmë gëzojnë infrastrukturë më të mirë për të zhvilluar stërvitjet e tyre, porse nga institucionet kërkojnë të ketë interesim më të madh për sportin e notit, në mënyrë që edhe notuesit ta përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme.