SOT

“Festojmë duke kujtuar” mbledh gratë në Rugovë

Bukuria e Rugovës ku ka zbritur së pari dëbora ia ka shtuar bukurinë piktoreske gjelbërimit.

Fshati turistik “N’mal”, që gjendet në Rekën e Allagës, është bërë gati për t’i mirëpritur mysafirët në një ambient të ngrohtë. Në vilat e këtij fshati, për 28 Nëntorin është vendosur flamuri kuqezi.

Edhe brenda gjithçka është veshur me ngjyrat e festës. “Festojmë duke kujtuar” është titulluar ngjarja që ka mbledhur zonja të fushave të ndryshme në një vend. Për të dytën herë, nikoqirja e këtij organizimi, Vlora Nikçi, ka dashur të festojë kontributin e grave në shtet ndërtim.

Ushqimet tradicionale të përgatitura me produkte të bjeshkëve të Rugovës kanë qenë të servuara në tryezë. Mysafiret e veshura me veshje tradicionale të zonave të ndryshme e kanë bërë bashkë Shqipërinë e madhe në veshje.

Ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Mesila Doda, ka bërë rrugën nga Tirana në Prishtinë për të festuar bashkë këtë festë, e cila, sipas saj, më së shumti i bashkon shqiptarët.

Me poezi, muzikë e diskutime ato e kanë kaluar gjithë ditën e 28 Nëntorit. Pjesë e tyre ka qenë edhe Sibel Halimi, sipas së cilës, këto organizime ndikojnë për të reflektuar mbi figurën e gruas që ato të dalin nga sfera private në atë publike.

Sipas organizatores, Vlora Nikçi, ideja e festës “Festojmë duke kujtuar” ka lindur nga piktura tradicionale e festës së flamurit, e cila është me burra e pa asnjë grua.

Për ta plotësuar atë pikturë, ato kanë realizuar bashkërisht edhe një fotografi, e cila, sipas tyre, do të mbetet simbol i së kaluarës së lavdishme dhe një të ardhme të ndritur për gruan shqiptare.