Një komunë e vogël, por shumë e veçantë në infrastrukturë e shumëçka tjetër.
Ky është qyteti i Kaçanikut, i qetë e me pak qytetarë në rrugë, por kjo pamje ndryshon në kohë festash, sidomos në ato fetare.
Një atmosferë shumë të veçantë që përjetohet në këtë komunë e përcjell tek ne Fidaim Fazliu, i cili është kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik.
Ai tregon se edhe në familjet e gjithsecilit mbizotëron i njëjti moment gëzimi, e që të gjithë bëhen bashkë për të vizituar të afërmit për të uruar Bajramin, e edhe për të shijuar ëmbëlsirat që gjithsecili përgatit më veçantë për këtë festë.
Kaçaniku njihet për predikues të shumtë të fesë islame, e Fazliu thotë se të rinjtë janë ata të cilët vlerësojnë çdo ditë e më shumë besimin që ata u përkasin.
Fazliu thotë se secili vend ka traditat e veta, porse sugjeron të festohet me familjarët e miqtë të cilët ende i kemi pranë vetes.
E momenti më i bukur që ende shumë krahina e praktikojnë është kur fëmijët vijnë në secilën shtëpi dhe kërkojnë bonbone dhe nuk ikin pa i mbushur qeset.
Sipas Fazliut, festat e tilla janë edhe më të bukura kur mërgimtarët janë në vendlindje, e ngjashëm është edhe këtë vit.
Në festat e Bajramit zakonisht në faljen e namazit marrin pjesë burrat e secilës familje, por të shumta janë rastet kur edhe fëmijët janë pjesë e faljes.