Shpeshherë na ndodh të mbesim pa bateri në celularët tanë e si zgjidhje për ta mbushur ka qenë ndonjë kafene përreth. Si rrjedhojë edhe kemi shpenzuar për shërbimin që kemi marrë.
Por, Komuna e Ferizajt përmes një projekti ka bërë zgjidhjen e këtij problemi. Kushdo nga kalimtarët në qendër të qytetit që mund të ketë nevojë që ta mbushë me energji celularin, mund ta bëjë këtë përmes “smart tree” apo “pemës së mençur”, e cila është e vendosur në oborrin e bibliotekës së qytetit.
Përmes dritës, pema e mençur merr energji solare. Gjithsecili mund të ulet dhe të pushojë, e në të njëjtën kohë edhe të mbushë baterinë e celularit me energji për aq sa i nevojitet.
Pos bibliotekës së qytetit, një tjetër “pemë e mençur” është vendosur në parkun afër Spitalit Rajonal, si një ndër vendet më të frekuentuara në këtë qytet.
5 mijë euro është kostoja e një “peme të mençur”. Një kosto e tillë është lehtësisht e përballueshme nga komunat që duan të marrin shembull nga Ferizaj dhe në të ardhmen të pajisin edhe qytetin e tyre me një të tillë.
Zëdhënës i Komunës së Ferizajt Selim Marevci thotë se qytetarët ende nuk kanë njohuri mjaftueshëm për funksionin e saj, porse në ditët në vazhdim pritet të informohen dhe rrjedhimisht ta përdorin më shumë.
Sipas tij, së shpejti ky projekt do të zgjerohet dhe pemë të këtilla do të vendosen edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Projektet e tilla nga Bashkimi Evropian po ndihmojnë në lehtësimin e jetesës në qytetin e Ferizajt, që është e vetmja komunë që e gëzoi këtë projekt, përmes të cilit qytetarët mund të gjejnë zgjidhje në çdo kohë, por edhe energjia eklektike të shpenzohet më pak.