Që nga vendosja e puseve në pjesë të ndryshme të qytetit të Ferizajt, puna e zjarrfikësve është bërë dukshëm më e lehtë. Furnizimi me ujë për shuarjen e zjarreve tani realizohet më shpejt, pasi rezervuarët mund të mbushen në pika më të afërta me vendin e ngjarjes. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kohës së reagimit dhe, si rrjedhojë, në shpëtimin më të shpejtë të jetëve dhe pronës. Komandanti i Brigadës, Zimri Krasniqi, thotë që kjo është një ndër gjërat më të mira që Komuna ka bërë për ta duke ua lehtësuar punën e vështirë që e kanë zjarrfikësit.
Kur bie telefoni, nis alarmi për ndërhyrje emergjente.
Kjo do të thotë se dikush, diku, ka nevojë për ndihmën e zjarrfikësve.
Brenda pak minutash ekipi i zjarrfikësve të Ferizajt bëhet gati dhe niset me shpejtësi drejt vendngjarjes. Kësaj radhe alarmi ishte për një zjarr, por më parë duhej mbushur rezervuari i kamionit me ujë.
Për t’ua lehtësuar punën, Komuna e Ferizajt ka vendosur bunarë në disa pika të qytetit, në mënyrë që furnizimi me ujë të bëhet më shpejt dhe më lehtë.
“Ky ka qenë një projekt komunal ideor dhe që ne kemi pasur shumë nevojë. Këta hidrantë janë vendosur në pjesë të ndryshme të qytetit dhe në fshatra. Deri më tani janë vendosur 20 bunarë në pjesë të ndryshme po ashtu. Janë komplet në dispozicion tonin dhe ne po furnizohemi prej tyre në pikën më të afërt dhe ne po kemi ujë të bollshëm. Jemi ne fazën përfundimtare të vendosjes edhe të të tjerëve në pika të ndryshme”, deklaron komandat i Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, Zimri Krasniqi.
Hidrantët janë nëntokësorë dhe të kyçur në sistemin rajonal të ujësjellësit.
“Hidrantët janë nëntokësorë dhe të sistemuar në ujësjellës dhe kanë kapacitete të ujit në furnizim të automjeteve tona. Më herët ne jemi furnizuar me ujë vetëm në dy puset që i kemi këtu afër në bazë, por vendosja e tyre edhe në pika të ndryshme në fshatra po na e lehtëson neve punën në masë të madhe, sepse koha e intervenimit po shkurtohet dhe aksionet po shpejtohen”, thekson ai.
Zimri Krasniqi, me 25 vjet përvojë si zjarrfikës, thekson se përmirësimi i infrastrukturës është jetik për këtë profesion.
“Problemet janë të njëpasnjëshme në profesionin tonë. Përveçqë e rrezikojmë jetën tonë, ne kemi edhe probleme teknike të zjarreve e sidomos nëpër ashensorë është jashtëzakonisht e vështirë intervenimi dhe shpëtimi i personave. Realisht ne mundohemi me krejt kapacitetet që i kemi për intervenim të shpejtë dhe të jemi më pranë qytetarëve”, deklaron ai.
Aktualisht Ferizaj ka vetëm 28 zjarrfikës profesionistë dhe, sipas Krasniqit, kjo është një sfidë serioze.
“Në aspektin profesional jemi 28 zjarrfikës dhe duke falënderuar edhe Komunën qe disa vjet e kemi edhe Shoqatën e Zjarrfikësve që na ndihmon në kohën kur kemi nevojë për intervenime. Mosha mesatare e zjarrfikësve sillet tek 50-a dhe është jashtëzakonisht vështirë të punohet me ta, sepse qyteti po zhvillohet shpejt dhe nevojat po rriten”, shton ai.
Projekti për vendosjen e hidrantëve në Ferizaj do të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme.