95 për qind e fëmijëve në botë kanë qasje në botën e teknologjisë. Këtë e konstaton Qendra Ndërkombëtare për Studime Edukative në botë.
Edhe fëmijët në Kosovë shprehin interesim për përdorimin e kompjuterëve dhe telefonave.
“Probit Academy” është njëra nga shkollat në fushën e teknologjisë, e cila ofron kurse për fëmijë.
Pjesë e kësaj akademie është edhe 9-vjeçarja, Rejana Bajrami.
Ajo tregon se arsyeja e ardhjes në këtë shkollë është dëshira për t’u bërë programere.
Një kategori më e lartë se klasa e Rejanës është niveli i avancuar, në të cilin vijon mësimet Angjelos Çomani.
E gjitha bota është e drejtuar nga teknologjia për momentin, sipas 12-vjeçarit, andaj edhe ai do të zhvillojë një karrierë të suksesshme në këtë drejtim.
Drejtori i kësaj shkolle, Hysen Blakaj, thotë se rinia duhet të jetë në hap me kohën.
Blakaj shton se interesimi i fëmijëve për të ndjekur një kurs teknologjie është i lartë, mirëpo edhe aftësia e mësimnxënies tek ta vërehet dukshëm.
Një tjetër shkollë programimi është edhe Shkolla Digjitale.
Lonita Mjeku e Vlera Cakolli janë nxënëse në këtë shkollë.
Ato tregojnë përvojën e tyre, mësimet që kanë marrë e për çfarë ju kanë shërbyer këto mësime.
E Enes Uka mësimet në programim e ka ndërmend t’i vazhdojë gjatë.
Ai madje mendon që në të ardhmen të drejtojë vetë një kompani teknologjike.
Instruktorja e shkollës digjitale, Liburna Mehmeti, thotë se nxënësit kanë mjaft entuziazëm e vullnet për të përvetësuar mësimet këtu.
Kjo është arsyeja pse ata shumë shpesh organizojnë aktivitete për fëmijë.
Orientimi i tregut të punës çdoherë e më shumë nga bota teknologjike po i bën prindërit t’u ofrojnë kurse në mosha shumë të hershme, që të marrin mësimet e nevojshme e të ndërtojnë një karrierë me sukses.