SOT

Fëmijët e stafit të “KOHËS” festojnë me dhurata, vallëzim e këngë

Traditën e përvitshme nga Grupi KOHA për gëzimin e fëmijëve të stafit e sjellim përmes këtij materiali. Në çdo fundvit, në ambientet e KOHËS rezervohet një hapësirë e veçantë për më të vegjlit, të cilët pranojnë dhurata e argëtohen nën shoqërinë e babadimrit e maskotave të ndryshme. Atmosferën e veçantë festive të vogëlushëve e sjellim në vazhdim.

Fytyra të lumtura, plot buzëqeshje e gjallëri ishin ato të fëmijëve të stafit të KOHËS. 

Me padurim e presin përherë fundvitin, sepse në ambientet e KOHËS përgatitet ambient i veçantë, ku ata mund të argëtohen e të marrin dhurata.

E pa dyshim, në ditë të tilla festive nuk ka si të mungojë fytyra kryesore e fundvitit, babadimri, i cili shoqërohej nga personazhet e dashura të fëmijëve. 

Grupi KOHA organizimet e tilla për fëmijë i ka shndërruar në traditë. 

“Palaço me shokë” i kishte përgatitur disa pika të këndshme. 

Bashkë me babadimrin e maskotat, ata këndonin, vallëzonin e luanin.  Babadimri kujdesej edhe t’iu bënte pyetje fëmijëve lidhur me festat. 

Përgjigjet e sakta të tyre patën gjithnjë nga një shpërblim. Në mesin e fëmijëve kishte të tillë që pa hezitim këndonin. 

Në lojërat e njëpasnjëshme të “Palaços me shokë” dhe me fëmijët, ata vendosën që ta përfshinin edhe Flakën, drejtoreshën e Grupit KOHA, mikpritëse e tyre për çdo fundvit. 

Më pas erdhi momenti i shumëpritur nga fëmijët. Babadimri nisi shpërndarjen e dhuratave. 

Shumë nga fëmijët shprehën përvojën e këndshme të kësaj dite. E disa të tjerë zgjodhën t’i këndojnë këngët e vitit të ri.

Të lumtur, fëmijët po dilnin nga objekti i KOHËS. Por akoma nuk kishte përfunduar gjithçka. 
Mbylljen e takimit e të argëtimit me njëri-tjetrin e bëri më të veçantë urimi i tyre njëzëri.