SOT

Faruza Kallaba, pilotja shqiptare pjesë e bombardimeve më 1999

Bashkë me artefaktet tjera që ruhen në Muzeun Kombëtar të Kosovës, si shenjë përkujtimi për luftën, në kornizat e këtij muzeu ruhet edhe një uniformë shumë e veçantë.

Është uniforma e Faruza Kallabës, gruas së parë që u bë pjesë e ekuipazhit të Gardës Nacionale të Forcave Ajrore Amerikane. Për 78 ditë, Faruza Kallaba u bë pjesë e intervenimit të NATO-s në Kosovë, ku misioni i saj edhe sot kujtohet si njëri prej më të rëndësishmëve të kohës. Me aeroplanin e saj vazhdimisht furnizonte me karburant aeroplanët luftarakë.”

Me të përfunduar lufta, Kallaba vizitoi Kosovën dhe dhuroi uniformën e saj. Ajo u befasua kur kuptoi se ato janë pjesë e Muzeut të Kosovës.

Por, para se të bëhej pjesë e një misioni të tillë, pilotja shqiptare kaloi nëpër sfida të ndryshme që i ndihmuan në formësimin e një karakteri të fortë e të guximshëm.

Më 1979, Kallaba u bë gruaja e parë në historinë e Gardës Nacionale të Forcave Ajrore të Illinoisit së SHBA-së, ndërsa më 1984 ajo u bë anëtarja e parë grua e ekipit të fluturimit të këtij institucioni të lartë ushtarak amerikan.

“Mua gjithmonë më ka interesuar zbatimi i ligjit dhe gjithçka që kishte të bënte me të, kështu që pak kohë pasi përfundova gjimnazin një mik i imi njihte dikë në Flotën Ajrore dhe ne u takuam me të, ku kaluam shumë kohë së bashku duke biseduar për ushtrinë, për Flotën dhe për të gjitha përgjegjësitë e çka përfshinte ushtria dhe të qenët ushtarak. Pas një kohe, ky person më tregoi se unë mund ta filloja trajnimin tim në Gardën e Illionoisit, për të qenë pjesë e Flotës Ajrore. Gjithmonë më ka interesuar shërbimi dhe zbatimi i ligjit. Kur jeni në një flotë ushtarake ju kaloni shumë kohë në qiell dhe bëheni pjesë e aktiviteteve që zakonisht bëhen në ushtri. Në njërin nga udhëtimet unë pashë karburantin ku bëhej mbushja e aeroplanëve bombardues dhe prej atëherë vendosa që kjo ishte puna që doja të bëja, edhe pse isha gruaja e vetme në atë kohë dhe ata nuk deshën të më pranojnë, mirëpo aftësitë e mia ishin të pamohueshme dhe në fund përfundova duke iu bashkuar Gardës Nacionale të Forcave Ajrore’’, ka thënë Kallaba në emisionit Sot të KTV-së.

E lindur në Damask të Sirisë dhe e rritur në Çikago, Kallaba nuk pati mundësi të mësonte shqip, megjithatë shprehet se njeh mjaft shumë nga kultura dhe historia kosovare.

‘’Në Amerikë kemi ardhur në moshë të re dhe fatmirësisht pak kohë pas nesh erdhën edhe familjarë tanë të tjerë, përmes së cilëve unë pata mundësi të mësoja për kulturën dhe gjithçka tjetër që vinte prej Kosovës. Kemi mësuar shumë gjëra për atje, por fatkeqësisht nuk arritëm të mësojmë kurrë gjuhën shqipe për shkak edhe të angazhimeve që prindërit tanë kishin. Gjatë fëmijërisë sime në Amerikë unë mësova shumë për historinë e Kosovës përmes babait tim. Ishte pak e vështirë për ne, sepse ishim të gjithë të vegjël e sidomos larg prej atje. Mirëpo, me të vërtetë, duke u rritur e kemi kuptuar dhimbjen dhe trajtimin e pabarabartë që i është bërë atij vendi. Babai im ishte shumë i qartë në shpjegimet e tij dhe me të vërtetë më vjen shumë keq për çka ka ngjarë atje”, ka thënë ajo.

24 marsi i vitit 1999 për të mbetet data më e rëndësishme e karrierës së saj ushtarake.

Gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s, pilotja shqiptaro-amerikane mori pjesë në mbi 30 operacione luftarake.

Ky mision, sipas 64-vjeçares, ishte vendimi më i shpejtë që e kishte marrë në 20 vjetët e karrierës së saj.

i erdhi koha njësisë tonë që të pozicionohej në Kosovë unë isha ndër të parat që u zgjodha dhe mund të them se askush prej kolegëve të mi nuk u befasua nga kjo. Të gjithë e dinin prejardhjen time dhe lidhjen që kisha me Kosovën. Pa hezitimin më të vogël eprorët e mi më thanë: “Ti je ndër të parat që do nisesh...’’. Pas shumë atyre gjërave që babai na kishte treguar, dhimbja dhe vuajtja e popullatës së Kosovës më bëri që të mos mbaj asgjë në vete, të mos kursehem për asgjë. Prandaj, them se për mua ishte një vendim i lehtë për t’u marrë, mund të kisha zgjedhur të jem pjesë e një tavoline pune apo të kryeja ndonjë funksion tjetër në ushtri, por me vete thashë: “Nuk ka asnjë mundësi që unë të mos jem pjesë e kësaj...’’, ka treguar Kallaba.

Uniforma e saj në muze ndodhet në katin e tretë të Muzeut të Kosovës, bashkë me armë e uniforma të tjera të kohës së luftës së fundit.