SOT

Familja ruan atletet e Leotrimit që kishte mbath kur u vra nga forcat serbe

“Veç dy herë i ka mbathë”

Këto janë fjalët e vetme që mund t’i nxjerr Besniku nga goja, përderisa tregon atletet si shenjë e vetme që i kanë mbetur nga vëllai Leotrimi.

Vetëm 2 vjet më i madh se Leotrimi, para kamerave nuk merr guximin të rrëfej për ngjarjen e 11 shtatorit të vitit 1998, në të cilën e kishte përjetuar edhe vet.

Por, prapa kamerës ai tregoi shumë.

Kur predha e gjuajtur nga forca serbe goditi oborrin e tyre në Rezallë të Skenderajt, Leotrimi, i cili ishte vetëm 7 vjeç, kishte mbathur këto atlete dhe po qëndronte në këtë pjesë të oborrit.

Gjithë ngjarjen arrin ta rrëfej vëllai i tyre i madh, Bahri Ahmeti, i cili gjatë kohës që ndodhi tragjedia ishte në frontin e luftës së bashku me babin e tyre, që më vonë ra dëshmorë, si komandant i asaj zone.

Me lot në sy ai tregon se nuk kishte arritur ta shihte të gjallë Leotrimin, megjithëse kishte shkuar në spitalin e Gradicës.

Përveç Leotrimit, atë ditë ka ndërruar jetë edhe një vajzë tjetër, e shumë të tjerë ende   kanë copëza të granatës në trup.

Atletet, të cilat i ruan në dollapin e shtëpisë së tyre në fshat, nuk ia ka treguar asnjëherë nënës së tij. 
Përveç këpucëve dhe fotografive, tani familja Ahmeti, do ta kenë edhe skulpturë si kujtim për Leotrimin, falë skulptorit Sabri Behrami.

"Oj nënë, këqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmur prej barku” ishin fjalët e nënës së Leotrimit, që prekën thellë Behramin, duke e shtyrë në krijimin e kësaj skulpture.

Autori i mbi 50 veprave të vendosura në Kosovë e jashtë saj, thotë se ka qenë shumë e vështirë për të, pasi për formën e trupit të Leotrimit është bazuar në djalin e tij 7 vjeçar. 

Vet djali i tij ishte interesuar shumë për këtë histori.

Përgatitjet për vendosjen e shtatores së Leotrimit në sheshin e Skenderajt, veçse kanë filluar dhe pritet të vendoset më 18 qershor, në ditën e çlirimit të kësaj komune.