Ka vite që familja Krasniqi nga Miradia e Poshtme e Fushë-Kosovës merret me punën e automekanikes.
Meqenëse të parët e tyre e kishin bërë këtë punë, atë e vazhduan edhe brezat e rinj. Por së fundmi familjes iu shtua edhe një biznes tjetër, krejt ndryshe nga ai i trashëguari.
Familja Krasniqi hapi fermën e kultivimit të troftës dhe synon që në të ardhmen vendi t’i njohë troftat e Miradisë.
“Na erdhi ideja çfarë të hapim. Na erdhi kjo ide. Ia nisëm, tash mirë po e c, jemi në fillim, por është mirë. Këndej s’ka pasur fare troftë dhe andaj vendosëm të hapim ne”, ka thënë Besart Krasniqi.
Njohuri për kujdesin ndaj peshqve nuk kishin pasur më parë, porse ato i përfituan me kohë.
“S’kemi pasur, por për tri vjet e gjysmë kemi mësuar shumë sende që s’i kemi ditur. Pak problem ishte deri mësohesh e pastaj më lehtë”, ka shtuar ai.
E gjithë familja është e angazhuar në këtë punë, e tani kanë arritur të kapin shumicën e tregut.
Ai thotë se edhe pse me vite u morën me rregullimin e pjesëve të veturave, mes automekanikes dhe punës së re, këtë të fundit po e shijojnë edhe më shumë.
“Më e mirë është kjo sepse po kënaqesh duke i këqyrë. Mekanika janë bërë shumë dhe kjo më e mirë. Besoj se do të rregullohet edhe më mirë”, ka shtuar ai.
1 hektar tokë kanë për këtë veprimtari. Përveç zgjerimit në hapësirë, ata planifikojnë edhe kultivimin e llojeve të tjera të peshqve.
Troftat janë ndër peshqit që kultivohen më së shumti në Kosovë, e madje edhe kërkohen në tregun vendor. Ato kanë shumë veti ushqyese dhe janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminë D, B6 dhe magnez.