SOT

Familja Haxholli, familje ofiqarësh në fshatin Marec

Po i hap dyert e oborrit në të cilin e kalon pjesën më të madhe të ditës. Ky objekt gjendet në brendësi të fshatit Marec të Komunës së Prishtinës.

E si zyrtar i gjendjes civile, Zymer Haxholli ka rreth një dekadë që punon.

“Unë në bashkësinë lokale kam filluar të punoj në qershor të vitit 2012, para kësaj kohë kam punuar në arsim. Zyrja e gjendjes civile në fshatin Marec ka funksionuar që nga viti 1921, prej atëherë ka pasur shumë ofiqarë, një ndër ta ka qenë edhe babai im, Daut Haxholli i cili u ka shërbyer banorëve të fshatit”.

Orarin e punës e ka tetorësh, por nëse dikush i vjen jashtë orarit, ai nuk i kthen duarbosh. Haxholli thotë se ai kujdeset për bashkësinë që nga pastrimi e deri tek ofrimi i shërbimit.

“Unë vij në ora 8 në mëngjes, pasi nuk kemi pastrues, vetë e bëj edhe pastrimin, pastaj vazhdojmë me shërbimet e tjera. Unë lëshoj certifikatat e lindjes, ekstraktin, certifikatat e vdekjes, të martesës, së vendbanimit, bëjmë kurorzime, regjistrojmë lindjet, vdekjet, pra të gjitha shërbimet e gjendjes civile. Ka interes, sepse numri i banorëve është i madh në fshat por ka edhe banorë që janë shpërngulur e vijnë nga vendet ku jetojnë, të marrin shërbimet që u duhen”.

Ofiqari e përshkruan ndjesinë që i dhuron puna në fshatin Marec, në këtë fshat ku ai përveç punës edhe banon.

“Së pari është kënaqësi të punosh në vendin tënd, ku kanë lindur babai, gjyshi, stërgjyshi dhe është kënaqësi e madhe të punosh në fshatin tënd të lindjes, në këtë vend i cili ka dhënë shumë për Kosovën. Nëse edhe në kohë më të vështira e të luftës, kanë funksionuar bashkësitë lokale, e sot në vitin 2022 të mos ketë bashkësi lokale në shërbim të qytetarëve nuk është në rregull”.

Një ekstrakt lindjeje erdhi ta merrte mësuesi i shkollës fillore në Marec, Isuf Pacolli.

Pacolli thotë se bashkësitë lokale janë një lehtësim për ta si vendas që të kryejë punën më shpejt e të kursejnë kohën.

“Unë jam banor i fshatit Marec dhe mësues i shkollës këtu. Shërbimet e ofiqarisë i marrim te z.Zymer Haxholli, është një lehtësim për punën tonë, por edhe në përgjithësi për banorët e kësaj ane sepse marrim shumë më pak kohë të vijmë për një shërbim këtu sesa të shkojmë në Prishtinë”.

Puna e ofiqarisë është shtuar, sipas mësuesit, sepse kohët e fundit shumë nga ish- banorët kanë filluar të investojnë në fshat e të rikthehen me ndërtimin e shtëpive.

“Fshati Marec është fshat malor, mendoj që është investuar në infrastrukturë në rrugë. Unë jam edhe mësues, numri i nxënësve tani për tani është i vogël për shkak të shpërnguljeve, megjithatë ka ende nxënës, është bërë përpjekje të investohet e të kthehen banorët e kjo na e jep një shpresë se fshati sërish do të ketë banorë e do të gjallërojë si dukur.”

Se fshati ka filluar të popullohet, këtë e thotë edhe vetë ofiqari.

Sipas tij, periudha e pandemisë ishte vendimtarja kur njerëzit filluan të riktheheshin.

“Lufta e vitit 1999 është ajo e cila fshatin Marec pothuajse e dogji tërësisht duke vrarë shumë njerëz dhe banorët nuk shihnin perspektivë për të jetuar më në këtë fshat e ata u shpërngulën në qytet. Kryesisht ishin punësimi, shkollimi i fëmijëve të cilat i detyruan banorët të shpërngulen nga fshati në qytet, mirëpo tani pas pandemisë, prap ka filluar të bëhet një ripopullim i fshatit e ka fillu të rritet vlera e fshatit.”

Transporti, shkollimi e kushtet jo edhe aq të volitshme, sipas ofiqarit, vazhdojnë të mbesin disa prej vështirësive që vijnë bashkë me jetën në fshat. Megjithatë, ai ka një arsye për të cilën thotë se do t’ia vlente.

“Njeriu është mirë të jetojë aty ku ka lindur, kjo është numër një, e dyta është ajri sepse njerëzit tash e kanë kuptuar se pa ajër nuk ka jetë. Po vështirësi këtu është shkollimi i mesëm i lartë sepse nuk ka transport publik, njerëzit duhet me vetura të tyre të funksionojnë dhe punësimi pra këtu vetëm me bujqësi mund të jetohet. Megjithatë pasi që janë krijuar disa kushte, kush ka mundësi është mirë të kthehet në fshat.”

Ani pse me kushte jo edhe aq të favorshme, kohët e fundit hasim një rritje të banorëve që po rikthehen në fshatrat e tyre e po investojnë në ndërtimin e shtëpive .

Shfrytëzimi i tyre bëhet të paktën vikendeve apo shndërrohen edhe në biznese për shumë familje.