Blinera apo siç e quan terapistja Blinka, është duke e mbajtur një seancë logopedike. Kjo është një rutinë e fëmijëve me autizëm në të cilën mësojnë kuptueshmërinë. E pas kësaj seance, Blinera ka vendosur që sot t’i presë flokët. Në këtë formë ajo tregon se ka ardhur për t’i prerë flokët.
Fatlum Bajrami është ergoterapeut në këtë shoqatë mirëpo ai ka vendosur që të mësojë zanatin e flokëtarisë vetëm që t’ua lehtësojë fëmijëve procesin e prerjes së flokëve.
“Duke i parë vështirësitë shumë të mëdha të prindërve që tregonin se fëmija ka probleme me i pre flokët tek floktari dhe për atë arsye unë vendosa ta marrë një zanat tjetër, e të fokusohem për fëmijët me autizëm që t’ua premë flokët këtu në shoqatë. Unë jam ergoterapeut me profesion por krahas tij kam vendos që me e marr edhe zanatin e berberit”.
Bajrami thotë se fëmijët ishin mësuar me të si terapist, andaj e kishin më të lehtë t’i besonin edhe prerjen e flokëve.
Duke qenë se fëmijët janë tërë kohës në lëvizje e sipas ergoterapeutit nganjëherë edhe të frikësuar nga gjërat e reja, atyre iu duhet kohë deri të mësohen.
“Metoda jonë ka qenë duke bashkëpunuar me terapist të tjerë profesional që jemi këtu. Ideja ka qenë që me e fut pjesën e prerjes së flokëve si terapi duke filluar me mbajtjen e makinës ku secila makinë i ka vibrimet e ndryshme, tash fillojmë me vibrimin më të ulët duke arrit në vibrimin më të lartë sepse fëmijët sidomos djemtë e kanë pak të vështirë prerjen e flokëve me makinë. Fillimisht për secilin fëmijë periudha për t’u aftësuar për të qëndruar vetë në karrige për prerje të flokëve, ka zgjatë diku 6 muaj. Ka fëmijë që i pëlqen shumë pasqyra për atë arsye edhe e kemi vendos për me e pa ata veten se çfarë po ndodh me ta”, deklaroi Bajrami.
Berberi vullnetar thotë se fëmijët kanë hasur në vështirësi edhe për t’u adaptuar pa prindër përgjatë këtij procesi. Andaj prania e tyre në fillim të terapive është shumë me rëndësi.
“Zakonisht kur e kemi nis prerjen e flokëve, e kemi nis në praninë e prindërve që me e pa ata se çka po bëjmë me fëmijët e tyre. Prindërit kanë pranuar, kanë qenë nëna, një terapist tjetër dhe unë. Kemi filluar duke luajtur me një lodër, njëjtë edhe prindi i fëmijës, e në këtë formë fëmija e ka larguar frikën.”
Mes berberit e ergoterapisë, Bajrami thotë se kjo e fundit i pëlqen më shumë, mirëpo duke marrë parasysh vështirësitë e fëmijëve vendosi të jetë vullnetarë.
Fëmijë si Blinera janë mbi 60 në shoqatë. Ylljeta Maliqi e cila është terapiste në këtë shoqatë flet për terapitë që ofrohen duke numëruar fazat nëpër të cilat kalon një fëmijë deri në shfaqjen e progresit.
“Në shoqatë marrin shërbime rreth 68 fëmijë. Shërbimet që ofron shoqata janë multidisiplinare duke përfshirë terapinë e cila zhvillohet mes një terapisti e një fëmije, terapinë logopedike dhe atë ergoterapeutike.”
Efekti i terapive varion nga gjendja e fëmijës. Maliqi thotë se psikologët, logopedët e terapistët që janë në shërbim të fëmijëve punojnë një nga një me secilin prej tyre.
“Efikasiteti i terapisë është shumë i rëndësishëm, për shkak se është terapi që përfshihet një fëmijë e një terapistë. Andaj në këtë mënyrë fëmija përfiton shumë.”
Terapistja vlerëson edhe iniciativën e kolegut të saj. Ajo e kënaqur thotë se vetëdijesimi për ndihmën ndaj fëmijëve autikë çdo ditë e më shumë po rritet.
“Vitet e fundit, vetëdijesimi për autizëm ka filluar të rritet shumë dhe po vërejmë që iniciativat janë shumë të nevojshme si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Iniciativat e tilla sikur e Fatlumit janë motivuese për të gjithë njerëzit që kanë vullnet të kontribuojnë për fëmijët me autizëm.”
Shërbimet e tjera që ofrohen jashtë ambientit të shoqatës janë shërbimet për aftësim në komunitet, shërbimet me bazë në shtëpi dhe mbështetje në kopshte.