Përmes mësueses, nxënësve e disa kompjuterëve, 9-vjeçari, Jon Gegaj, ka paraqitur ëndrrën e tij. Mjetet esenciale për këtë janë kockat lego, shumëngjyrëshe.
Largimin në botën digjitale, atij ia bën më të lehtë peizazhi i vizatuar në dritaren e shtëpisë.
Kjo nuk është hera e parë që Joni i vogël ka realizuar një gjë të tillë. Gjatë ditëve në izolim, Joni bashkë me vëllain e tij të vogël, Noelin , me kockat lego kishin projektuar kryeqytetin, raporton emisioni “Sot” në KTV.
“Jam munduar ta paraqes mirë, nuk e di nëse ia kam dalë”, thotë Joni.
E as Prishtina nuk është projekti i parë i tyre. Paraprakisht, dëshira për t’u njohur me kultura të tjera e për të udhëtuar i kishte shtyrë që me anë të lodrave të “shkonin” në aeroportin “Adem Jashari”.
E për të shtuar më tepër argëtimin në shtëpi, vëllezërit me ndihmën e prindërve punuan edhe kuajt prej letre. Këtë e pohon edhe 5-vjeçari, Noeli pjesa e preferuar e të cilit është gara.
Në pamundësi për të dalë shumë jashtë e për t’iu bashkuar lojës me shokët, për shkak të pandemisë, nëna e tyre Gëzime Gegaj vendosi të sillte pak material nga natyra.
Ajo thotë se përmes gurëve, baltës e shumë gjërave të tjera u mundua t’ua shtonte kreativitetin.
Sipas Gëzimes, koha e pandemisë asaj ia rikujtoi edhe njëherë rëndësinë e familjes.
Ndonëse larg shkollës, 9-vjeçari nuk ka qëndruar larg muzikës. Ai për anëtarët e familjes ka performuar vazhdimisht muzikë, ashtu siç bëri edhe për ne.