Me punë shumë, e fjalë pak, kështu e nisin dhe e përfundojnë ditën dy kopshtaret më të dashura për qytetin e Vitisë.
Ato që nga ora 8, e gjer në orën 16 përkujdesen që parku në qytet ta ketë nivelin më të lartë të pastërtisë, raporton KOHA.
Paulina Dokaj është nga fshati Kabash i Vitisë, e që 6 vjet për çdo ditë pune, mëngjesi e sjell në këtë vend për të punuar.
Për këto vite pune, Paulina ka fituar respektin e shumë prej qytetarëve, e madje edhe ka krijuar lidhje shoqërore me ta.
Shoqëruesja e përditshme e Paulinës, është Hamite Salihu, e cila me origjinë është nga Kukësi i Shqipërisë.
Ajo ka një histori të veçantë për jetën që ka krijuar në fshatin Smirë.
Pos shumë vështirësive, Hamitja nuk është ndalur e që tani po bën punën e kopshtares në qendër të qytetit, e njëkohësisht është në përfundim të studimeve që i kishin mbetur dikur në gjysmë.
Për punën e zellshme të dy kopshtarëve me të cilat krenohet Vitia, flet edhe kryetari, Sokol Haliti, i cili shpeshherë i viziton ato.
Ai tregon se asnjëherë nuk ka hezituar t’u flasë të gjithëve për punën e palodhshme që këto dy gra po e bëjnë, e edhe për dashamirësinë që u ofrojnë të gjithë qytetarëve.
Vitia është një komunë e vogël, e cila u mundëson secilit të njihen më lehtë me njëri-tjetrin, e pikërisht për këtë arsye edhe kopshtaret Paulina e Hamitja janë bërë pjesë e jetës së shumë familjeve të këtij qyteti.