Balancimi i veturës është shërbimi që pronari e kërkoi.
Ndryshe nga ç’është mësuar, këtë shërbim do t’ia kryej një vajzë.
Dorentina Qerimi është automekanikja ferizajase që profesionin e zhvillon në Prishtinë.
Zhvillimin në këtë punë, ajo ia dedikon babait të saj, meqë ai ishte nismëtari dhe përkrahësi më i madh për ushtrimin e këtij profesioni.
Rrugëtimi i Qerimit është i mbushur plot sfida.
Shumë gishta të fajësisë u drejtuan nga ajo, të përcjellë me fjalë e paragjykime, të cilat automekanikja me kohë i kaloi.
Automekanikja rrëfen se punën e vështirë ia lehtësuan kolegët, të cilët tashmë i cilëson si familje.
Familjarët ishin përkrahësit e saj më të mëdhenj e edhe njëkohësisht klientët e parë në Ferizaj.
Ndërkohë që shoqëria e ngushtë e Tinës, siç e quajnë kolegët, ishin në mëdyshje për zgjedhjen e shoqes së tyre.
Pas disa vjetësh punë, 26-vjeçarja tashmë i ka kaluar pasiguritë që kishte në veten. Ajo sot bënë një punë tetëorëshe për të cilën merr shumë lëvdata, e plani që ka është inkuadrimi i sa më shumë grave në botën e saj.
Rregullimi i veturave nuk është e vetmja punë e pazakonshme që Tina bën.
Ajo punon edhe shankiste në një lokal të vendlindjes, si dhe angazhohet në muzikë.
Qerimi merr shembull veten për t’u drejtuar shumë vajzave e grave si ajo, që ëndrrave t’u japin formë e t’i realizojnë.
Inkuadrimi i grave në punë, që zakonisht bëhen nga burrat, kohët e fundit po i hasim shumë edhe në Kosovë. Përveç mekanike, tashmë në treg ka shofere, konduktore e berbere, të cilat kanë filluar të thyejnë tabutë shoqërore.