Viti 2022 është viti më i mirë për boksieren Donjeta Sadiku.
Ajo ka shënuar rezultatet më të mira si seniore, duke u stolisur me medalje të bronztë në Kampionatin Botëror, e më pas në Kampionatin Evropian.
Këto janë medaljet e para të boksit në nivelin më të lartë prej se është pranuar Federata e Boksit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Boksit.
Prishtinasja qysh edhe si juniore ka shënuar rezultate të mëdha kur ka qenë nënkampione e botës, por tani rrugën e sukseseve po e vazhdon për seniore.
“Ushtrimet e mija i filloj me nxehje, vazhdoj me ushtrime të barkut. Gjithmonë shkoj sipas planit që e ka përgatitur trajnerja. Dy orë përafërsisht zgjasin ushtrimet, para çdo meçi preferoj ushtime rreth 40 minuta”, tha Sadiku. “Kur kam filluar të merrem me sport e kam pasur shumë vështirë sepse nuk ka pasur shumë vajza dhe kur kam shkuar për herë të parë në sallë të boksit kam qenë e vetmja vajzë. Kam pasur edhe paragjykime nga shoqëria dhe të tjerët më kanë thënë se boksi ta prish fytyrën të dëmton fizikisht, por ky lloj i sportit të ndihmon shumë në kodeksin dhe mirëmbajtjen e trupit”.
23-vjecarja gjatë karrierës 11-vjeçare si boksiere ka luftuar në mbi 100 meçe kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Deri më tani mbi 100 meçe i kam zhvilluar. E kujtoj meçin e parë që e kam pasur një entuziazëm shumë të madh momentin kur kam hyrë në ring. Është diçka që nuk përshkruhet me fjalë, por e kam pasur një vetëbesim, jam shpallur fituese dhe kjo më ka dhënë motiv që edhe përkundër paragjykimeve të vazhdoj ketë sport edhe më tutje”, tha Sadiku.
thotë se nuk i ka problem meçet me meshkuj. Pikat e forta ta saj janë vetëbesimi dhe goditjet e forta.
“Zakonisht sparinget i bëj me meshkuj kjo është edhe përparësia ime se pas çdo meçi, sparingun e zhvilloj me meshkuj pasi që kur jam në ring e kam pak më të lehtë meçin me femra”, tha Sadiku. “Pika ime e fortë para meçeve është vetëbesimi, duke marrë parasysh që ushtrimet i zhvilloj në Kosovë dhe jashtë vendit, kjo më bën me besuar që mundem me arrit fitore kundër gjithë kundërshtarëve, të cilët i kam në ring. E veçanta tjetër është se unë i kam dy duar të forta, por kur e goditi kundërshtarin me dorë të djathtë e ka shumë vështirë me u kthjell”.
“Olimpiada Paris 2024” është synimi kryesor i boksieres Donjeta Sadiku.
“Edhe pse jemi vend i vogël. Kosova ka shumë talent të cilët po e ndrisin flamurin në podiumet më të larta në boks. Sporti është ambasadori më i mirë për Kosovën. Sikurse unë që e ngrita flamurin në dy shtete, Turqi dhe Mal të Zi, edhe të tjerët po vazhdojnë me pas fitore të shumta. Të tjerave ju kisha thënë e në veçanti vajzave që të merren me sportin e boksit sepse edhe ky sport ka veçanti të mirë. Ëndrra dhe synimi im kryesor është ‘Parisi 2024’ pra olimpiada, që më sjell medalje të arta në vendin tim. Ëndërroj të bëhem kampione olimpike”, Sadiku.
Trajnuesja e Donjetës, Ariola Sallauka, merret me organizimin e treningut para dhe pas meçeve.
“Sporti i boksit është një sport fisnik i cili po ashtu kërkon shumë përkushtim dhe për t’i arritur rezultatet e mëdha sikurse Donjeta duhet motivim dhe disiplinë shumë e madhe. Pra, duhet me pas treningun e mirë. Pas medaljeve të cilat i ka marrë Donjeta ajo e ka pasur një pushim të shkurtër, por tani është rikthyer dhe sipas plan-programit ajo ushtron dy herë në ditë. Varet nga plan-programi Donjeta ka vrapim, ushtrime për kodeksion po ashtu edhe ushqimi ka rëndësi të madhe”, tha Sallauka.
Nga fitoret e Donjetës është rritur edhe interesimi i vajzave në boks, thotë ajo. Por ka edhe një kërkesë ndaj institucioneve relevante për mbështetje të sportistëve.
“Unë asnjëherë nuk kam dyshuar në sukseset e Donjetës në boks. Rrugëtimi i saj ka qenë shumë i vështirë pasi qe nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme. Përveç federatës së boksit, nuk ka pasur përkrahje institucionale, këto të fundit kanë premtuar që në të ardhmen do të na mbështesin”, tha Sallauka.
Ndërsa, kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, ka thënë se Donjeta e ka rikthyer namin e dikurshëm të boksit në Kosovë.
“Boksi është rikthyer që të jetë ndër sportet më kryesore në Kosovë sikurse që ka qenë në vitet ‘70-‘80. Dihet se sportet luftarake i kemi në gjene dhe me këtë mund ta pushtojmë botën. Ambasadori kryesor i Kosovës është boksi”, tha Krasniqi.
Ajo në vitin 2015 u shpall nënkampione e botës për të reja që u mbajt në Taipei të Taiwanit.
Në vitin 2016 u shpall kampione e Evropës për të reja në Ordu të Turqisë.
Në vitin 2017 u bë nënkampione e Evropës për të reja në garat e mbajtura në Sofje të Bullgarisë.