SOT

Dokumentimi i botës së egër në Gërmi

Për më shumë se 2 vjet rrugën drejt maleve të Gërmisë e merr pothuajse çdo ditë.

Është Albert Krasniqi, fotografi nga Prishtina, i cili brenda një periudhe të shkurtër si fotograf dhe eksplorues ka arritur të dokumentojë shumë lloje të shpendëve në hapësirat e këtij parku.

Trishtili i zi, mëllenja, gugushi, qukapiku i zi, e shpendët mizangrënës janë vetëm disa prej tyre që ai ka arritur t’i kapë me syrin e aparatit të tij, e që më herët nuk janë dokumentuar.

Me ndihmën e shumë njohësve të shpendëve nga Shqipëria, Krasniqi tregon se kanë arritur të njihen prej afër me botanikën e Gërmisë.

Shtigjet malore të Gërmisë, ai thotë se janë të pasura me shumë shpendë, për të cilët më parë as që është menduar se mund të krijonin fole në Kosovë.

Eksplorimi i më pak se 30 për qind të territorit të Gërmisë, Krasniqin e lë me shpresë se ka edhe më për të zbuluar sa i përket botës së egër.

Qukapiku i zi, mbretthi, dhelpra, derra të egër, vjedulla e macet e egra, të gjitha këto janë kapur nga kamera, kurthet e vendosura prej anëtarëve të “Gërmia Wildlife’’.

E qëndrimi 18 ditësh nëpër male të Prishtinës nuk mund të bëhet ndryshe pa u pajisur edhe me mjetet e nevojshme për ekspedita të tilla.

Përpos dokumentimit të botës së egër në Gërmi, Krasniqi thotë se po e bëjnë pastrimin e burimeve të ujit që kalojnë nëpër Gërmi, si dhe mbrojtjen egërsisë së malit të Gërmisë, për të krijuar një ekosistem sa më të përshtatshëm për shtimin e gjallesave të tilla në këtë pjesë të Kosovës.