SOT

Dobërdelani, fshati me më së shumti punëtorë ndërtimi

Mistria, si vegël e punës në ndërtim tashmë është bërë simbol i fshatit Dobërdelan të Suharekës.

Kjo, për shkak se shumica e banorëve punojnë në ndërtimtari brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve.

Blerim Balaj është njëri nga ta. Ndonëse periudhë të shkurtër ka punuar në Zvicër, thotë se nuk do ta braktisë vendin sa i përket punës në këtë zanat.

“Prej pas luftës jam me këtë profesion. Unë kam punuar 18 muaj në Zvicër ndërsa nga paslufta unë punoj vetëm në Kosovë nuk e kam as në plan që të largohem nga ky vend. Më mirë në Kosovë. Punoj knauf, fasada, izolimet e shtëpisë”, tregon ai.

Balaj thotë se punon në vende të ndryshme të Kosovës. Të ardhurat e vetme për të dhe për familjen e tij i siguron vetëm nga ndërtimtaria.

“Si fshat njihem që merremi vetëm me mjeshtri. E kem edhe simbolin e “mistrisë”, përveç fshatit punojmë edhe Prishtinë, Prizren, Gjakovë etj. Nuk lëmë vend pa punuar vetëm e vetëm me siguruar mbijetesën. Paralufte ka pasur problem për punë ndërsa tani është problem për punëtor nuk kem punëtor sa ka punë por mirë nuk është keq. Si fshat por edhe unë personalisht i kem nga “mistria”, punë e ndërtimit. Nuk kem punë tjetër. Me ketë punë i shkolloj fëmijët e gjithçka tjetër i bëj vetëm me ketë profesion sepse nuk kam shkollë të përfunduar”, tregon Balaj.

Se fshati ka qenë i njohur gjithmonë për numrin më të madh të punëtorëve që merren me ndërtimtari e thotë edhe Halim Cikaqi.

83-vjeçari banor i këtij fshati, thekson se të ardhurat e familjeve në fshat kryesisht sigurohen nga puna në ndërtimtari.

“Më herët si fshat jem marrë me bujqësi por edhe me mjeshtri nga pak. Edhe në familjen time janë marrë me mjeshtri ndërsa personi që e ka ndërtuar “mistrinë” këtu është në Itali. Ai punon me këtë zanat atje gjithashtu punojnë djemtë e tij dhe kushërinjtë. Vëllai im është kujdesur për të gjithë ne nga punë e ndërtimtarisë”, thotë Cikaqi.

Pas vitit 1999, fshati është i njohur edhe me emrin Ilirion.