SOT

Ditë dhe natë, me kitarë në duar

Dita e tij fillon dhe mbaron nën tingujt e kitarës.

Me një zë të butë e tejet të dashur për këdo që e dëgjon veç një herë, Arbër Gashi nga Gjakova tashmë ka marrë zemrën e publikut shqiptar.

Ka zgjedhur rrjetet sociale për ta treguar talentin e tij.

Qysh në moshë të re Arbëri ka shfaqur afinitetin e tij për muzikën, fushë të cilën tani edhe po e studion.

Talentin për muzikën, 20-vjeçari konsideron se e ka trashëguar nga babai i tij edhe pse zhanret që ata preferojnë janë krejt të ndryshme.

Derisa babai i tij ka preferuar më shumë muzikën popullore, Arbëri anon kah një zhanër më i lehtë.

Kitara është një dhuratë nga xhaxhai i tij. Ka mësuar të luaj me të pa bërë shkollë për të. E ka mësuar tërësisht nga videot tutoriale në internet.

“Kisha frikë sesi kanë me reagu publiku”. Ai kujton videon e parë që vendosi ta publikoj në rrjetin e tij social TikTok, por frika e tij u shua nga komentet pozitive që akoma po merr nga njerëzit, ku tani edhe motivohet nga vet ata.

Talenti i tij i lindur është veshi absolut. Aftësi që jo shumë muzikantë e kanë. Ai dallon të gjitha notat pa ndihmën e instrumenteve të veçanta.

Si çdo i ri tjetër, rrugëtimin profesional e ka zgjedh i orientuar dhe mbështetur nga familja. Ai sot është shumë falënderues që ka dëgjuar këshillat e tyre.

Arbëri do vazhdojë të këndojë këngë të ripërpunuara deri në një moment kur do t’i publikojë krijimet personale. 3 këngë veçse i ka shkruar tashmë.

Arbëri, ka një mesazh për të gjithë të rinjtë që të ndjekin pasionin e tyre pa marrë parasysh rrethanat.