Me përfundimin e 9-vjeçares, dëshira e tij ishte të bëhej kuzhinier e madje ta vazhdonte edhe një shkollim në atë drejtim.
Por iu ndryshua mendja e si përfundim u regjistrua në degën e dizajnit, në një shkollë profesionale në Ferizaj.
18-vjeçari Freskim Tahiri, pa e pasur asnjëherë pasion ose talent dizajnin, vetëm përmes shkollës arriti të bëhej i zoti në këtë fushë e madje tashmë edhe ta hapte dyqanin me emrin e tij.
Pasioni ishte tek kuzhina, por shkolla që vijoi ia ndryshoi edhe vizionin për të ardhmen.
Freskimi më pas shihte gradualisht mishërimin e artit e të dizajnit brenda dëshirës së tij.
Mosha e re shpeshherë klientët i kishte vënë në dyshime për aftësitë e tij, porse tani të interesuarit vazhdojnë vetëm të zgjerohen.
Ai thotë se ka një stil unik në qepje dhe se asnjë seri e veshjeve që ai qep nuk përsëritet më pa lejen e klientit që e ka blerë fillimisht.
Me lokalin e hapur në kohë pandemie vështirësitë nuk i kishte të theksuara. Madje që nga dita e parë kishte filluar me shitjen e tyre.
Disenjatori i ri shton se për pak kohë ka arritur të thyejë edhe rekorde në kohëzgjatjen e qepjes së fustaneve.
Dyqani modest i Freskimit përmban lloje të ndryshme të fustaneve, secili më i mirë se tjetri, e që të gjitha shfaqin shkëlqimin e xixat, të cilat dalin në pah që nga larg.