Krusha është një nga fshatrat që e pësoi më së keqi gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shumë banorë të vrarë e të tjerë që vazhdojnë të jenë të zhdukur derisa shtëpitë u dogjën.
As paslufta nuk ishte e lehtë. Të gjithë filluan nga zero dhe u fokusuan në ato që i ofronte vendi. Bujqësia e blegtoria janë ato që e karakterizojnë fshatin.
Ishte viti 2003 kur u hap një ndër pikat e para grumbulluese të qumështit në Krushë të Vogël, e cila synim kishte të nxiste punën në fshat e në veçanti të punësonte gratë e veja që merreshin me blegtori.
Të gjithë këta fermerë ditën e nisin shumë herët, që nga ora 8 e mëngjesit rruga i sjell në të njëjtën pikë grumbulluese. Qendrën e udhëheq Dile Prekpalaj.
Nikoqirja e kësaj pike për çdo ditë bën rrugën nga Prizreni për në Krushë dhe i pret fermerët që ta sjellin qumështin e nxjerrë në shtëpitë e tyre.
Në fillim të punës së pikës grumbulluese kishin qenë rreth 70 fermerë të përditshëm, por tani ky numër është përgjysmuar. Sipas saj, mungesa e subvencionimit të fermerëve të vegjël ka bërë që fshatarët më të mos mbajnë lopë.
Nga kjo pikë grumbulluese, qumështi dorëzohet në një kompani të prodhimit të produkteve të qumështit. E që të shkojë deri atje, secilës litër të sjellë nga fermerët i bëhet analiza për cilësinë e saj.
Puna shtohet edhe më shumë në sezonin e verës, atëherë kur edhe kullosa është e përditshme. E me qumështin e mbetur më pas përpunohet edhe djathi.