Çmimet e specave në Tregun e Gjelbër të kryeqytetit janë shumë të larta, sipas qytetarëve.
Aktualisht një kilogram speca mund të arrijë deri në 5 euro.
Konsumatorët shprehen se mungesa e produkteve vendore ka çuar në rritjen e çmimeve të perimeve.
“Çmimet janë shumë të larta për kushtet tona, sidomos për pensionistët. Mbi 4 euro për një kilogram speca është shumë. Edhe 5 euro i shtoj dhe blej një kilogram mish”, thotë konsumatori Namik Nishliu.
Se çmimet janë të larta e thotë edhe konsumatori Qazim Berisha.
“Çdo ditë po shtrenjtohen. Me pensionet e vogla, nuk kemi mundësi. Specat janë shumë të shtrenjtë. Më mirë do ishte të punonim tokën tonë, sesa të importonim produkte nga jashtë”, thekson Berisha.
Edhe tregtari Idriz Hajdari është i shqetësuar për çmimet e larta të pemëve dhe perimeve. Megjithatë, ai i arsyeton ato me mungesën e prodhimeve vendore.
“Pemët dhe perimet janë të shtrenjta, por edhe konservimi i tyre ka kosto të lartë. Një arsye tjetër është që nuk po punohet toka nga bujqit”, deklaron Hajdari.
Ai kërkon mbështetje më të madhe për bujqit nga Ministria e Bujqësisë. Sipas tij, çmimi prej 6 eurosh për kilogram speca është i lartë, por tregtarët nuk mund të jenë fajtorë, pasi një pjesë e madhe e çmimit lidhet me taksat dhe doganat.
“Edhe Qeveria duhet të ndihmojë tregtarët për të punuar tokën e tyre dhe për të ulur varësinë nga importet”, thekson Hajdari.