SOT

Curri nga Gjakova shet pemë e perime “Versace”, “Nike” e “Reebok”

Pothuajse e gjithë Gjakova, tashmë e njeh Ali Currin, jo vetëm për punën 30-vjeçare që e bën, por edhe për energjinë dhe pozitivitetin që e përcjell te kalimtarët dhe klientët e tij.

Përmes lojës me fjalë e termave interesantë, ai i ka bërë për vete shumë qytetarë. Ka prej tyre që ndalen të bëjnë video dhe fotografi me të.

Curri ka dy vjet qëkur filloi të bënte video e t’i shpërndante ato nëpër rrjete sociale nga ku u bë viral në gjithë vendin.

Me videot e shumta që realizoi, ai arriti të depërtonte edhe te sytë e shume figurave të njohura.

E gjithë ata që duan ta takojnë Currin, për çdo ditë e gjejnë atë në qendër të Gjakovës.

Sipas Currit, kalendari i tij dallon ai i zakonshmi, kjo, pasi që secila ditë e javës u dedikohet anëtarëve të ndryshëm të familjes.

Përpos protagonistit kryesor, ai që fshihet prapa kamerës së Currit e që është shtytësi kryesor për të vazhduar me video të tilla, është Shkëlqim Krasniqi.

Ai tregon se shpesh ka ditë jo të mira për të, porse kur vjen në dyqan dhe takohet me Currin, i gjithë humori i ndryshon.

Klientët e Currit janë të shumtë, ka edhe prej tyre që janë të qyteteve të ndryshme, e nga ta vijnë edhe vetëm me qëllimin për ta takuar atë ose për të bërë ndonjë fotografi apo edhe video me fjalët interesante që vazhdimisht i përdor.