SOT

Çmimi i naftës rrit kërkesën në transport publik

1 euro e 73 centë për një 1 litër naftë ishte çmimi të premten në Kosovë. Pavarësisht që lëvizjet në bursë po ndodhin çdo ditë e kryesisht në rritje, qytetarët mohojnë të kenë parë më pak qarkullim të veturave në kryeqytet.

Mënyra më e mirë, sipas tyre, për t’i bërë ballë inflacionit do të ishte lëvizja me transport urban.

E ka prej atyre që tashmë e praktikojnë këtë gjë, qysh prej fillimit të konfliktit Ukrainë- Rusi.

Gani Sinani nga ndërmarrja “24 Yjet” pohon se ka vërejtur rritje në numrin e udhëtarëve vetëm në muajt e parë.

Madje thotë se ato ishin ditët e vetme kur kanë funksionuar pa vonesa në trafik.

Sipas Sinanit, ka rreth 75 nisje në ditë duke përfshirë këtu linjat: “10”, “10 a”, “10 b” dhe “20”.

Sinani thotë se rritja e kostos ka ndikuar në financat e ndërmarrjes. Shton se kanë bërë kërkesë për të shtrenjtuar edhe biletat e udhëtimit, por Komuna e Prishtinës ende nuk ka miratuar një gjë të tillë.

Për momentin një biletë udhëtimi kushton 50 cent.

Megjithatë, disa kompani të tjera private tashmë e kanë rritur çmimin e biletave për 10 centë pa miratim të Komunës së Prishtinës.

Në pamundësi të mbulimit të shpenzimeve nga ndërmarrjet private, Izet Ismajli nga Shoqata e transportit publiko-privat, thotë se linjat “7”, “6”, “6A” e shumë të tjera rrezikojnë të mos funksionojnë më.

Sipas tij, janë pikërisht këto linja që kanë numër të ulët të udhëtarëve.

“Dukshëm është vërejtur se kërkesa e qytetarëve është rritur. Në të gjitha nisjet dhe të gjitha pritoret është rritur numri i qytetarëve për shfrytëzimin e autobusëve të Trafikut Urban”, ka thënë Mentor Isufi nga ndërmarrja Trafiku Urban.

Rritja e numrit të udhëtarëve në transport publik është një plus në zbatimin e planit të mobilitetit, thonë në Drejtorinë e shërbimeve publike.

Pavarësisht çmimeve të karburanteve, Shoqata e naftëtarëve thotë se numri i konsumatorëve mbetet i njëjtë.

“Nuk ka rënie të interesimit për derivate. Ndryshimet janë të vogla”, la thënë Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve.

Ai shton se çmimi do të normalizohet kur të përfundojë lufta mes Ukrainës e Rusisë.

Një biletë udhëtimi me autobusët e Trafikut Urban vazhdon të jetë 40 centë, kurse me linjat e tjera private 50.

Me shtrenjtimin e naftës dhe benzinës ka ndryshuar edhe starti i taksive, nga 1.50 euro në 2.