Çmimet po rriten sërish në Kosovë. Qytetarët po e ndiejnë çdo ditë e më shumë peshën e krizës ekonomike.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni ka arritur në 2.9% në muajin mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në mars, çmimet janë rritur për 0.8%.
Siç bëhet e ditur, rritja vjetore e çmimeve është shoqëruar edhe me një inflacion mujor prej 0,8%, vetëm gjatë muajit mars 2025, duke reflektuar ndikimet e vazhdueshme nga faktorë të ndryshëm të tregut dhe të mjedisit ekonomik.
Më së shumti janë shtrenjtuar: kafja, çaji dhe kakao (17,1%), pemët (6,7%) dhe perimet (8,7%), mishi (8,3%), shërbimet e transportit personal (7,6%), qumështi, djathi dhe vezët (7,1%), uji mineral, pijet joalkoolike dhe lëngjet (5,4%), pijet alkoolike (6,3%), librat dhe materialet për zyra (6,2%) dhe shërbimet e hotelerisë (5,8%).
Ky trend i rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve po e rëndon gjithnjë e më shumë jetën e qytetarëve në Kosovë. Ata fajësojnë liderët shtetërorë për mosformimin e institucioneve, që sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes ekonomike.
Qytetari Skender Zogaj thotë se qytetarët momentalisht janë në krizë ekonomike.
“Nuk ka dyshim që kjo situatë po e rëndon jetën e qytetarëve sepse nëse ndodhin ngritje të çmimeve edhe më tutje dhe pagat nuk ngritjen kjo gjë është jo e këndshme. Rritja e çmimeve po ua rëndon jetën edhe njerëzve nëpër shtete të tjera edhe të ne po ashtu. Në Kosovë nuk ka pasur ngritje të rrogave dhe pensioneve, është prishur balanci politik dhe pastaj gjithçka po reflekton. Po, ne jemi në një krizë e cila mbetet vetëm të shpresojmë të kemi përmirësim të jetës së qytetarëve”, thekson Zogaj.
Ndërkohë, Naxhije Berisha thotë se rritja e çmimeve po i varfëron qytetarët. Ajo thekson se me të ardhurat e pakta që ka, jeta është bërë tepër e vështirë.
“Nuk po kemi se çfarë të bëjmë me 120 euro po duhet të mbijetojmë e në anën tjetër këta vazhdimisht po e shfrytëzojnë rastin dhe po i ngritin çmimet ne vetëm të ndalemi dhe të shikojmë nuk na ka mbet asgjë tjetër, ose t’ua dorëzojmë edhe pensionet e vogla që i kemi e ndoshta edhe po kënaqen. Unë jetoj vetëm vetëm sa më japin njerëzit e tjerë me ato të ardhura jetoj por edhe fëmijët po më ndihmojnë ngapak. Nuk po dimë çfarë të bëjmë dhe nga të ia mbajmë”, deklaron Berisha.
Ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se mungesa e institucioneve funksionale, si dhe varësia nga importi, janë faktorët kryesorë që kanë lënë tregun të pambrojtur.
“Për fat jo të mirë ne si pasojë e importit që e bëjmë po përballemi çdo ditë me ngritje të çmimit, kjo do të thotë që qeveria nuk po e kryen detyrën e saj komfort aspektit të ekonomisë, pra duhet të forcohet prodhimi vendor dhe mos të varemi shumë nga importet. Në momentin që kemi import të lartë ngritën çmimet dhe pastaj këto çmime po bëhen të papërballueshme dhe për fat jo të mirë qe 4 vjet kemi pasur vazhdimisht trend të ngritjes së çmimeve”, thekson Kadriaj.
“Spekulimi ekonomik dhe bizneset e shfrytëzojnë në masë të madhe këto momente dhe kjo situatë është shtrat për ngritjen e çmimeve nga bizneset sepse nuk kemi mekanizma mbikëqyrës mekanizmi shtetërorë është i fokusuar diku tjetër. Unë uroj që pa marrë parasysh se kush do të jetë mandatarë në katër vitet e ardhshme, institucionet duhet të bëjnë një hap para në mënyrë që këto gjëra të mos mbesin pezull sepse qeveria në detyrë nuk mundet të shtyjë projektet përpara”, shton ai.
Gastronomët kanë paralajmëruar ngritje të çmimit të kafes në lokale, pas shtrenjtimit të saj në tregjet me pakicë.
Ndërkohë, pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike, është paralajmëruar edhe shtrenjtimi i bukës.