Kafshët shtëpiake tashmë do të pajisen me mjet identifikues. Kjo do të bëhet me anë të një mikroçipi, i cili do të vendoset nën lëkurë të kafshëve në afërsi të qafës. Këtë ua obligon pronarëve Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili ka hyrë në fuqi me datën 1 mars 2021.
Me këtë udhëzim administrativ përcaktohen kriteret, procedurat për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese dhe mbajtjen e regjistrit qendror të tyre me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe shëndetit të kafshëve. Një gjë të tillë e thotë edhe Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.
Sipas saj, nëse ky Udhëzim Administrativ respektohet nga pronarët e kafshëve shtëpiake, nuk do të ketë shumë probleme me qentë endacakë.
Një kërkesë të tillë, shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, siç thotë ajo, e kanë kërkuar tash e disa vjet. Megjithatë, ndihen mirë që tashmë ka një iniciativë të tillë.
Ndërkohë, Ramadani ka treguar se si bëhet vendosja e çipit dhe si do të kontrollohen të dhënat e secilës kafshë shtëpiake.
Një praktikë të tillë tash e sa kohë e kanë vendet perëndimore. Por jashtë vendit pronarët e kafshëve shtëpiake janë të detyruar që vetë t’i kryejnë shpenzimet e mikro-çipave. Ndërsa, në Kosovë një shpenzim të tillë e ka marrë mbi supe vetë Qeveria.