SOT

Çiklizmi trend në rritje nga të rinjtë e Shtimes

Në hyrje të qytetit e kanë vendtakimin çiklistët e klubit “Vjosa” të Shtimes.

Kryetari i klubit, Ramiz Smajli, po i kontrollonte biçikletat e pajisjet e secilit, para se të niseshin në rrugëtimin e përbashkët.

Kalimi i tyre nëpër qendër, herë pas here shoqërohej me përshëndetje edhe nga qytetarët.

Këtë relacion thonë se e kanë bërë shpesh, sidomos në ditët me pandemi, kur edhe lëvizjet e veturave ishin krejt të reduktuara.

Pak kilometra më tej, ishte pikëndalesa e dytë për të rejat e të rinjtë garues.

Kryetari i klubit shprehet se klubin po e mban gjallë entuziazmi i këtyre të rinjve, porse vështirësi kanë në sigurimin e pajisjeve pasi të gjitha i financojnë vetë.

Ndjesi të veçantë e përshkruan Blenda 15-vjeçare prezencën e saj në klub.

Madje u bën thirrje edhe vajzave të tjera për t’u aktivizuar në këtë sport.

Një tjetër garues i suksesshëm i klubit është Qëndrim Abazi.

Për të thotë se tashmë është rutinë t’i bëjë mbi 100 kilometra me biçikletën e tij sportive.

Adrenalinë, shëndet fizik e mendor, kështu e cilësojnë çiklistët e Shtimes një sport të tillë, të cilin e ushtrojnë tash e disa vjet.