SOT

Çifti që solli picën nga Italia në Kosovë

Rruga me kalldrëm në pjesën e vjetër të Prishtinës të dërgon në njërën nga piceritë e vogla të kryeqytetit. Metra larg aroma e picës shërben si udhërrëfyese drejt vendit. Karakteristikë qysh nga jashtë janë perde të shkurtra që pasqyrojnë një ambient të ngrohtë shtëpie.

E brenda një familje treanëtarëshe pret klientët e ditës. Çifti Bardhyl e Ariana Fetahu tregojnë se si i sollën picat e Italisë në Kosovë përmes “Jana Napoletana”.

Bardhyli thotë se për vite me radhë ka punuar në një piceri në Londër e pica “Napoletana” mbeti si shija e preferuar e tij. Por bashkëshortja Arijana nuk e përkrahu idenë, pasi që nuk ishte adhuruese e brumërave, derisa u bind ndryshe. Me të provuar, ajo la edhe profesionin e saj për të hapur këtë biznes.

Ndonëse “Jana Napoletanën” e hapën në pandemi, ideja për vendin filloi qysh disa muaj më herët. Për 7 muaj Bardhyli thotë se ka punuar intensivisht në ndërtimin e furrës adekuate për pjekjen e brumit. Kjo e fundit peshon rreth 2 tonë.

Pica që përgatitet nga Arijana e Bardhyli sipas tyre ka shijen e njëjtë sikurse ajo në Napoli të Italisë. Sekretet kryesore janë brumi që qëndron më shumë se 24 orë dhe përbërësit e freskët. Ata thonë se cilësia është primare, andaj duan që porositë e klientëve t’i gatuajnë vetë.

Tashmë kuzhinierja Ariana tregon se klientët janë të shumtë. Por të shumta janë edhe shijet e picave që mund t’i zgjedhin.

Secila picë piqet në furrë deri në 600 gradë për vetëm 60 sekonda.

Sipas Fetahut, asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i tyre masa e madhe. Ata duan të qëndrojnë në këtë pjesë të qytetit dhe kualiteti i picës të mbetet i njëjtë.

Picat e tyre mund të shijohen vetëm pasdite nga ora 17:00 dhe numri i picave është i limituar.