Në periudhën e fundvitit Brezovica mbetet destinacioni i preferuar për të vizituar dhe shijuar bukurinë që ofrojnë Malet e Sharrit.
Atraksioni më unik i vendit tanimë është mbuluar nga bora me ç’rast është shtuar fluksi i vizitorëve.
Arben Bajramaj bashkë me familjen nga Durrësi sa herë që vijnë në Kosovë, të zakonshme e kanë një ndalesë në ndonjërën nga malet e bukura të vendit. Këtë herë ata zgjodhën Brezovicën dhe duket se po e shijojnë tej mase.
“Unë kam ardhur nga Durrësi, kemi ardhur për qejf na pëlqejnë malet e sot djali im ka ditëlindjen dhe kemi zgjedhur të vijmë në Kosovë në vendin tonë. Ne kemi vende të shumta ku mundemi me vizitu por Kosova ka bukurinë natyrore tek malet dhe nuk e ndërrojmë me asnjë. Sot erdhëm për pak këtu më pas do të shkojmë në Pejë, e në Brezovicë jam për herë të parë sepse zakonisht shkojmë e vizitojmë Rugovën”, tha Bajramaj.
Sipas tij, malet dhe bjeshkët e Kosovës nuk kanë konkurrencë, por edhe pak zhvillim e intervenim infrastrukture nuk do ishte keq.
“Kushtet janë të mira, njerëzit gjithherë na presin mirë, por duhet edhe më shumë zhvillim dhe investim këtu. Unë shpresoj të mos ikin rinia nga Kosova por të kthehen këtu sepse kanë mundësi të mira”, tha ai.
E për shtimin e interesimit të vizitorëve më së miri e vënë re ata të cilët vazhdimisht qëndrojnë aty. Ngjashëm është për Ardijan Grazhdën i cili është pjesë e ekipit të kërkim shpëtimit dhe për çfarëdo rasti është i gatshëm të intervenoj.
“Borë kemi sivjet mjaftueshëm, sivjet presim të qëndroj bora më gjatë. Vizitorët kanë filluar të vijnë qysh para sezonit, kemi nga gjitha trevat por më shumë nga Shqipëria”, tha Grazhda.
Eksperienca e tij në shoqatën e kërkim shpëtimit ka bërë që tanimë të njeh mjaft mirë zonën, për të cilën thotë se është krenar që një vend si Brezovica i takon Kosovës.
“Malet i kemi të mira, por edhe investime duhet pasur. Teleferikët duhet me qenë të rinj, të gjithë kanë ecë para por ne po stagnojmë, mendoj se duhet më shumë investim. Të Shqipërisë nuk janë shumë të mirë për skijim por më shumë vijnë të shijojnë pamjen, por kemi edhe skiatorë të mirë që vijnë dhe shfrytëzojnë hapësirat për ta zhvilluar sportin e tyre të preferuar. Me zhvillim të kësaj zone po besoj se do të kemi edhe më shumë interesim të investitorëve”, deklaroi ai.
Grazhda shton se këtë vit Brezovica ka nisur sezonin e skijimit me kohë, kur bora që në shumicën e vendeve të tilla po mungon. Brezovica tanimë ka tërhequr të huajt për ta shfrytëzuar për argëtim e skijim.
“Gjithë kujdesemi për të gjithë vizitorët, por është shumë e vështirë sepse nganjëherë vizitorët po lëvizin dhe dalin në terrene të vështira e më pas ne duhet të angazhohemi për t’i gjetur ata”, tha Grazhda.
Të premten zyrtarisht ka filluar sezoni i skijimit në Brezovicë e në ditën e parë përdorimi i teleferikut për skiatorët u ofrua falas.