Kjo është Rabije Jupolli-Smajlaj nga Prishtina. Ka studiuar gjuhën angleze e ka punuar mësimdhënëse sa ishte në Kosovë. Por, vetëm pasi shkoi për të jetuar bashkë me familje në Amerikë, në vitin 2012, thotë se arriti që ta ushtronte profesionin që prej kohesh e kishte ëndërruar, si stiliste e flokëve.
Gjithçka ishte duke i ecur për së mbari atje. Megjithatë, kthimi në atdhe ishte gjithçka që ajo donte.
Si ëndërr ka pasur të jetë mësimdhënëse e floktarisë në një shkollë në Kosovë dhe kjo dëshirë iu realizua.
Është nënë e tre fëmijëve. Si shtysë e madhe për kthimin në Kosovë, Rabija thotë se ishte bashkëshorti.
“Në shkollë të mesme kam qenë në “Eqrem Çabej”, në studime e kam përfunduar gjuhën angleze. Pas studimeve, jam punësuar në shkollë të mesme profesionale 7 Shtatori, “Gjingazull”, si profesoreshë e anglishtes. Në vitin 2012, u shkëputa nga Kosova për shkak se më është dashur të emigroj në Amerikë për shkaqe familjare. Atje, kur shkova, e ndoqa pasionin tim për stiliste të flokëve. Atje kam ndjekur tutje shkollimin në këtë profesion. Pas dy vjetësh fillova punën në një kompani të njohur, si stiliste, përveç që jam punësuar edhe kam avancuar në profesion, sepse jam avancuar sa u përket ngjyrave. Kjo ka qenë një eksperiencë e mirë që gjithçka që kam marrë, ka qenë profesionale që të vij në Kosovë e të jem mësimdhënëse e floktarisë”, thotë Jupolli-Smajlaj.
“Pasi e përfundova qëllimin tim, gjithmonë e kisha dëshirën për t’u kthyer në Kosovë. Sepse gjithmonë kam menduar se vendi im ka nevojë për kuadro si unë. Nuk do të thotë që nuk kemi frizerë të mirë, kemi, por shkollimi e ka vendin e vet. Këtij vendi i është dashur një kuadro e përgatitur profesionalisht”, shton ajo.
Rabije Jupolli-Smajlaj është mësimdhënëse e floktarisë në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi”. Thotë se e gëzon më së shumti fakti se diturinë që mori në Amerikë po e bart te gjeneratat e reja në Kosovë.
“Fokusin e kam në Kosovë, tash më janë bërë disa vite këtu. Porsa të kem ndonjë thirrje nga Amerika, sepse kam kontakte me ta, patjetër që do të shkoj për të mësuar ndonjë teknikë dhe, pse jo, të bart edhe te nxënësit gjithçka që mësoj të re”, deklaron ajo.
“Mbarëvajtja e mësimit shkon me planprogram. Këta kanë praktikë edhe në shkollë edhe në sallone. Gjysmëvjetorin e parë e kanë më të ngjeshur, ndërsa në gjysmëvjetorin e dytë, këta dalin në sallone për praktikë. Bashkëpunoj edhe me kolegen time Ardiana Salihun, e cila është edhe themeluese e këtij drejtimi në shkollën “Shtjefën Gjeçovi”. Gjithçka po shkon mirë dhe e vërejmë se nxënësit vijnë me një entuziazëm duke na rrëfyer rreth shërbimeve që i bëjnë nëpër sallone. Me aq eksperiencë që kam, mundohem t’u servoj nxënësve të mi”, shtona Jupolli-Smajlaj.
Nga përvoja që Rabija ka në dy tregje të ndryshme, Amerikë dhe Kosovë, thotë se kërkesat e klientëve këtu janë më delikate.
“Në Amerikë, çfarëdo shërbimi që e marrin, ata kujdesen ta ruajnë natyralitetin. Ndërsa te ne, pak dalin edhe prej vetvetes, për shkak se e kërkon trendi. Atje jam rrethuar nga një elitë, artistë të famshëm dhe kërkesat e tyre kanë qenë që të duken natyralë”.
Rabije Jupolli-Smajlaj thotë se profesioni i floktarisë do të duhej të mësohej në mënyrë profesionale që nga shkolla e mesme e tutje.