Në stacionin e trenit në Ferizaj shumë kosovarë e pritën trenin duke e menduar si shpresën e fundit për një jetë më të mirë jashtë kufijve të vendit.
Me tren iku nga Kosova edhe Brahim Selimin 55 vjet më parë, i cili as vetë nuk e dinte se cili do të ishte destinacioni që më pas do t’i bëhej shtëpi për pjesën tjetër të jetës.
Pritjet ishin të gjata, nga një stacion në tjetrin, e pas 2 ditë e 2 netësh Selimi zbarkoi në Zvicër, ku edhe filloi jetën larg vendlindjes në mërgim.
Përderisa kujton ditët e para si mërgimtar, shton se mbijetesa atje ishte e vështirë në vend të huaj e duke mos kuptuar asnjë fjalë të vetme.
Thotë se në 55 vjet si mërgimtar çdo vit e më shumë i shtohet malli për vendlindje e vetëm kur vjen në Kosovë ndihet i qetë në shtëpinë e tij.
Pothuajse si çdo mërgimtar tjetër, edhe Selimi periudhën e pensionit u rikthye në atdhe, thotë se kjo është periudha më e mirë e tij e jetës që po e shijon çdo ditë në vendin që e deshi më së shumti.
Brahimi thotë se ai ka qenë një ndër kosovarët e parë që migroi jashtë vendit, por tani kushtet kanë ndryshuar e, sipas tij, të rinjtë duhet kontribuuar në vendin e tyre, sepse askund nuk gjejnë më mirë.
E që nga 1 janari i këtij viti edhe qytetarët e Kosovës për herë të parë tani lëvizin lirshëm pa regjimin e vizave nëpër shtetet evropiane e madje disa tashmë janë duke shfrytëzuar këtë mundësi, porse udhëtimi i tyre drejt këtyre vendeve ka shumë më shumë lehtësira sesa kishte pasur dikur Brahim Selimi.