SOT

Bletarja nga Mazgiti me pasion për bletët

Materiali në vazhdim ju sjell profilin e Redife Krasniqit, një grua bletare në fshatin Mazgit të Obiliqit. Ajo tregon për punën e saj në bletari, pritshmëritë e këtij viti dhe ka një mesazh për gratë që kanë interes për bletët.

Bletarja rrëfen se si shkon puna e saj e përditshme gjatë verës, nga hapja e kosheres, tymosja e pastaj kontrollimi i punës së bletëve.

Punët në bletari dallojnë varësisht prej sezoneve. Krasniqi thotë se dimri është i qetë edhe për bletët, ndërkohë nga muaji mars e tutje vjen puna më e madhe që duhet të bëhet.

Puna e bletëve varet edhe nga kushtet klimatike. Pos përkujdesjes së bletares, vera e nxehtë e shton intensitetin e punës.

E sipas Krasniqit, ky vit pritet të jetë i begatshëm.

Përfitimet nga bletët janë të shumta. Përveç mjaltës, Krasniqi numëron edhe produktet e tjera që përfitohen nga bletët.

Të gjitha punët në bletari, ajo i ka mësuar nga ligjëratat e ndjekura në kuadër të Lidhjes Bletare në Prishtinë.

E bashkë me bletarë nga e tërë Kosova, 49-vjeçarja bisedon për të rejat e informacionet shtesë që i nevojiten.

Më shumë se lodhje, bletarja e konsideron relaksim punën me këto insekte.

Këtë relaks ua rekomandon edhe grave që duan të kenë një veprimtari më ndryshe.

Sipas saj, kohët e fundit në vend është zhvilluar dukshëm bletaria, e sidomos te gratë.

Thotë se ia vlen koha e mundi, sepse ka përfitime të shumta.

Për momentin, bletarja mjaltin e siguruar e shfrytëzon për nevojat personale, megjithatë në një të ardhme të afërt, ajo ka në plan ta zgjerojë punën që të dalë në treg për shitje.