Storja në vazhdim na sjell një grua në Deçan, e cila është shumë e suksesshme në pasionin e saj. Ajo në fakt ka studiuar për menaxhim dhe teknologji, porse nuk arriti të punësohej në profesionin që deshi, por fati i mirë i doli në pasionin e saj, në bletari. Se kush është ajo dhe për arritjet e saj, e kuptojmë bashkë përmes materialit.
Pasionin për bletari të nisur nga gjyshi i saj në Remnik të Vitisë, po e vazhdon mbesa e tij.
Jehona Abdullahu-Dabiqajn, e diplomuar për menaxhim dhe teknologji, jeta e solli në Prilep të Deçanit, ku u martua dhe krijoi familje.
E të jetosh në një fshat kaq të pasur me bukuri natyrore, bletaria ishte plani i çiftit Dabiqaj për të krijuar biznesin e tyre, nga ku tani janë shumë të suksesshëm.
E krahu i saj ndihmës në vazhdimësi ka qenë bashkëshorti i saj Agroni, me të cilin e nisën me shumë pak bletë.
Jehona tani ka mbi 700 koshere bletësh, e për një numër kaq të lartë të tyre edhe puna duhet filluar sa më herët.
Ajo tani është një ndër femrat e para në vend me një numër kaq të lartë të bletëve, e po ashtu me njohuritë që ka për bletarinë shpeshherë u ofron trajnim bletarëve të rinj.
Bletarja tregon se sivjet janë duke pasur rendiment të lartë të mjaltit, që nuk e kishte parashikuar më parë.
Gjithë punëtorët që arrin t’i punësojë gjatë vitit kryesisht janë nga fshati Prilep, për të cilët thonë se gjithnjë e kanë mbështetur.
Edhe pse synimet e dikurshme të Jehonës ishte mësimdhënia, ajo tani tregon se është me fat që merret me këtë fushë.
Jehona zakonisht bletët e saj i dërgon në periferi të fshatit për kullosë. Për suksesin e saj të madh me bletari, ajo bën thirrje edhe për gratë e tjera që të krijojnë vetë një biznes të ngjashëm i cili është shumë fitimprurës.