Vetëm pak minuta lindën njëri pas tjetrit, e si binjakë shoqërimin me njëri-tjetrin e vazhduan gjatë tërë jetës.
Kudo që shkonin ishin bashkë, e madje edhe veshjet i kishin të njëjta.
Në mars Enver dhe Naser Hoxha festojnë ditëlindjen e 50-të.
Vëllezërit vazhdojnë të vishen njëjtë, kjo për shkak të profesionit që kanë zgjedhur. Ata ndajnë dashurinë për stomatologjinë.
“Jemi vëllezër binjak, kemi 10 minuta në mes, jemi nga Podujeva. Si të vegjël gjithmonë nëna ka pas dëshirë me na vesh njëjtë, kemi shkuar në shkollë bashkë dhe për asnjë moment nuk jemi ndarë, e madje edhe në profesion jemi përcaktuar për të njëjtin drejtim”, thonë ata.
Si të vegjël ishin mësuar që të gjitha gjërat t’i ndanin bashkë. Si rezultat edhe dëshirat i kishin të njëjta. Binjakët rrëfejnë se realizuan dëshirën e babait të tyre për ta studiuar stomatologjinë, për të diplomuar më pas në vitin 1998.
“Ideja me shku në stomatologji ka qenë e babës, profesioni i tij ka qenë ndërtimtar dhe në fillim kemi menduar me vazhdu profesionin e tij, por ai na këshilloi për mjekësi, ne e dëgjuam dhe vazhduam në stomatologji”, thonë binjakët.
Ishin të dalluar në shkollë dhe profesioni që zgjodhën ua shtoi më shumë dijen.
“Në vitin 1991 u regjistruam në stomatologji, edhe dhëndri ynë është në profesionin e njëjtë dhe duke e pa edhe atë pastaj nuk nguruam për këtë fushë”, shtojnë ata.
Me shaka thonë se provimet i ndanin në gjysmë dhe ndihmonin njëri-tjetrin për të qenë të suksesshëm.
“Me shaka shpesh themi se një provim e kam kryer unë dhe provimin tjetër binjaku im”.
Edhe hilet e binjakëve nuk kishin munguar, ata kujtojnë një situatë kur ishin ndërruar mes vete për t’u përgjigjur për tjetrin.
“Një rast e kemi që kemi hyrë në provim bashkë dhe profesori na tha që mos të hyjmë ndaras në mënyrë që të mos ketë ndonjë hile nga ne, por ne përsëri i ndrruam provimet dhe kështu u përgjgjëm për njëri-tjetrin dhe në fund i treguam profesorit”, tregojnë binjakët.
Ditën e kalojnë bashkë në ordinancë e nga këtu nisen për te familjet e tyre.
Ata vazhdojnë të vishen njëjtë edhe pas orarit të punës.
“Ende vazhdojmë nganjëherë të vishemi njëjtë, tani jemi secili në shtëpitë tona me familje”.
E ngjashmëria mes tyre bën që edhe pacientët t’i ngatërrojnë .
“Ende na ngatërrojnë e madje edhe shoqëria, edhe pacientët mirëpo ne njihemi si bineq e jo më emra, në momentin që vjen pacienti e di se çka ka punuar tjetri kështu veç e vazhdojmë punën që e kemi lënë në gjysmë”.
Si binjak janë të parët në familjen e tyre. Naseri është edhe vetë baba i binjakëve.
“Janë shumë të lidhur të dy djemtë, por nuk munden të rrinë dot pa njëri-tjetrin. Aktualisht janë në klasën e 4”.
Binjakët e plotësojnë njëri-tjetrin dhe kështu duan që të vazhdojë gjithmonë.
“Nuk e kam menduar asnjëherë jetën pa binjakun tim, jam shumë rehat me atë se çfarë më ka sjellurë jeta, është ndjenjë shumë e veçantë dhe gjithmonë atë që të mungon e plotëson tjetri”, thonë në fund ata.