Në qendër të qytetit të Prizrenit, në një kënd të veçantë, është biznesi që po menaxhohet e po krijohet çdo ditë e më shumë nga një grua shumë e zonja.
6 vjet më parë, Besnike Aliaj u bë nënë për herë të parë duke e pagëzuar vajzën me emrin Besila.
Përpos angazhimeve që iu shtuan në atë kohë, Besnikja nuk hoqi dorë as nga studimet e as nga vullneti për të arritur diçka në jetë, e tashmë biznesi i krijuar me shumë vështirësi, e i cili ka filluar të lulëzojë po e mban emrin e vajzës së saj, të cilën tashmë po e rrit e vetme.
Ajo thotë se nuk e kishte menduar më parë të merrej me këtë fushë, por praktika në lulishte të ndryshme e bëri të dashurohej në botën e tyre.
Besnikja e fokusuar në florikulturën e në të bukurën, edhe dekoret nuk i ka lënë anash.
“Besila” u krijua në kohë pandemie, porse kjo nuk e pengoi suksesin e saj.
33-vjeçarja thotë se gratë kanë nevojë edhe për më shumë përkrahje për t’i arritur ato që i kanë synim, e këtë përkrahje e pret që ta ketë edhe nga institucionet e vendit.
Besnikja përpos menaxhimit në lulishte, ajo merret edhe me pjesën administrative, madje në të ardhmen synim ka të bëhet edhe mësimdhënëse e lëndëve të agrobiznesit dhe administrim biznesi, meqenëse edhe i përmbush këto kualifikime.
Ajo po ashtu vazhdimisht është pjesë e trajnimeve e aktiviteteve të ndryshme, duke shpresuar që më pas të themelojë edhe një organizatë joqeveritare për të përkrahur fushën e biznesit në të cilën Besnikja operon.