Tingujt që lëshonin instrumentet shkriheshin me udhëzimet e profesorit e bashkë e krijonin zhanrin e muzikës jazz.
Kështu ishte një orë në një nga klasat e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, por jo si ditëve të zakonshme.
Kjo pasi grupi francez “Flonflons” është bërë pjesë e orëve muzikore për t’u ndihmuar studentëve në përvetësimin e mësimit.
Claude Vadasz, njëri nga anëtarët e grupit tregon se në Kosovë kanë ardhur për të këmbyer përvojat mes shteteve në fushën e muzikës.
“Ne jemi këtu për të shkëmbyer përvojat në kulturë dhe muzikë, jemi në Fakultetin e Arteve dhe jemi muzikantë që kemi ardhur për të luajtur me studentë e për të shkëmbyer eksperiencat, pra për të treguar se si është muzika jazz në Francë. Është duke shkuar shumë mirë, studentët janë të interesuar e të motivuar, kanë një vullnet të madh dhe e shijojmë shumë mësimin së bashku. Unë besoj se ata do të bëhen muzikantë shumë të mirë në të ardhmen, në fakt ata edhe tani janë muzikantë të mirë, por me më shumë mund e entuziazëm mund të arrijnë progres më shpejt”, ka thënë Vadasz.
Në kuadër të eksperiencës së grupit, Vadasz rrëfen dallimet që ka arritur të bëjë mes Francës e Kosovës kur flasim për fushën muzikore.
“Fusha e muzikës është shumë ndryshe në këtë aspekt. Ne ndodhemi në zonën e Ballkanit dhe ka disa dallime sa i përket mënyrës se si e zhvillojmë zhanrin muzikor e ndoshta edhe për shkak të dallimit të gjuhëve, vërehet një diferencë mes shteteve në këtë zhanër. Megjithatë besoj se Kosova po shkon në drejtimin e duhur dhe po zhvillohet në këtë aspekt”, shtoi ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, grupi ka mundur të shijojë e të shëtisë në Kosovë, e nga kjo vizitë, vëmendjen e tyre e ka marrë mikpritja e kosovarëve.
“Ne jemi këtu për 10 ditë, na kanë mbetur edhe katër të tjera për t’i kaluar, sepse do të kemi një koncert për ditët në vazhdim. Kosovën po e shijojmë shumë, është një shtet me shumë të rinjtë, e andaj edhe vërehet entuziazmi, po e ndjejmë një energji shumë të mirë. Kemi eksploruar disa vende këtu e na kanë lënë përshtypje shumë të mirë. Njerëzit këtu janë të kthyer nga e ardhmja e kanë vizion të qartë”, u shpreh Vadasz.
Pjesë e punëtorisë disa-ditore janë studentët, të cilët më së shumti përfitojnë.
Urta Haziraj, studente e vitit të tretë në solo këndim, duke i ndjekur udhëzimet e Vadasz, këndonte bashkë me grupin.
Ajo thotë se një aktivitet i tillë është shumë me rëndësi për studentët.
Haziraj flet edhe për ushtrimet që i bëjnë gjatë punëtorisë, duke vënë theksin te nevoja e punëtorive të tilla, meqenëse edhe studentët po shfaqin interes.
Orën po e monitoron edhe profesori i lëndës Jazz Improvizim, Dukagjin Muhaxheri.
Ai konsideron se punëtoritë e tilla që përfshijnë eksperiencat nga të huajt janë një ndihmesë e madhe për studentët, sepse kështu ata mund të arrijnë të dallojnë artin e mirëfilltë.
Profesori flet edhe për relacionin mes studentëve e anëtarëve të grupit, duke treguar se kanë një bashkëpunim që sjell të mira reciproke.
E gjithë kjo përgatitje po bëhet për ditën e premte, ku rreth orës 19:00 do të mbahet një koncert, në të cilin do të performojnë studentët bashkë me grupin duke u sjellë disa vepra nga muzika e zhanrit jazz.