SOT

Barileva, fshati me toka të pëlleshme për bujqësi

Njihet si një nga fshatrat me banorët më aktivë në fushën e bujqësisë.

Ky është fshati Barilevë i Komunës së Prishtinës.

Tokat e pëlleshme të këtij fshati ua mundësojnë banorëve që të kultivojnë kultura të ndryshme bujqësore.

Për banorin Maliq Berisha, bujqësia ka qenë aktivitet i domosdoshëm me të cilin është marrë e gjithë familja, e në pamundësi punësimi, siç shprehet ai, punën me tokat po e vazhdojnë të rinjtë e familjes.

“Në lagjen tonë të rinjtë janë shumë punëtorë, janë orientuar kah bujqësia. Unë e posedoj një serrë në të cilën i mbjellë disa lloje perimesh, por nuk ka treg të mjaftueshëm”, thotë Berisha.

Përveç shqetësimeve që ua solli pandemia, Berisha përmend edhe dëmtimet e shkaktuara nga vërshimet.

“Pandemia ka ndikuar sepse nuk kemi mundur të punojmë për shkak të izolimit. Ndërsa breshëri i verës që lamë pas na shkaktoi dëmtime, por prapë nuk ndikoi në vullnetin tonë për punë”, shprehet ai.

Dëmtimet që pësuan bujqit si shkak i pandemisë i vë në dukje edhe përfaqësuesi i bujqve të rajonit të Prishtinës, Kreshnik Xhafolli.

“Pandemia e ka zvogëluar konsumin, me c’rast edhe produktet bujqësore kanë pasur shitje më të vogël”, ka thënë Xhafolli.

Sipas Xhafollit, tokat e fshatrave të Prishtinës veçohen për pjellshmëri.

Në zhvillimin e të mbjellave janë të domosdoshme të reshurat, por në mungesë të tyre, Xhafolli thekson variantin që e shfrytëzojnë bujqit e kësaj ane.

“Rajoni i Prishtinës dhe ai i Vushtrrisë e shfrytëzojnë rrjedhën e kanalit të Ibër Lepencit që e mundëson ujitjen e tokave bujqësore të tri ose katër qyteteve të Vushtrrisë e Komunës së Prishtinës”, thotë Përfaqësuesi i Bujqve të Prishtinës.

Përveç përditshmërisë me punët primare, jo më pak i rëndësishëm mbetet aktiviteti i tyre bujqësor.