Banjalluçkit e Baki Rashkaj janë shumë të kërkuara në Prizren.
Shija e tyre po tërheq turistë të ndryshëm. Ai thotë se dhjetëra myshteri frekuentojnë lokalin e tij.
Baki Rashkaj interesimin për gatim e kishte qysh nga fëmijëria. Traditat e tij nga Hasi, ai i ka përfshirë në çdo ushqim që ka përgatitur.
Qebapët “banjalluçki” e kanë bërë më të njohur si kuzhinier.
“Me këtë profesion merrem që nga fëmijëria, përgatitja e banjalluçkit më ka pëlqyer shumë dhe kam filluar që ta përgatis në vendin tim, Prizren. Që nga mosha 20-vjeçare kam punuar në kuzhinë e njoh shumë mirë këtë profesion”.
Ai thotë se banjalluçkit dallojnë nga qebapët e tjerë.
“Banjalluçkit që unë i bëj janë të veçanta sepse i përgatis me hudhër, po ashtu janë shumë më të vështirë se qebapët e tjerë. Vetëm kush është merak mundet t’i përgatitë këto lloj qebapë. Mishin e marr të freskët, e përpunojnë vetë. Dallon nga qebapët normalë, pasi që përgatitet më ndryshme. Nëse më pëlqen mua mishi dhe përgatitja e banjalluçkit, besoj që edhe të tjerëve do t’ju pëlqejë”.
Prizreni është atraksion edhe për turistë të huaj dhe si rezultat edhe konsumatorët e Rashkajt janë të ndryshëm.
Por ata që kthehen çdoherë janë vendasit si Ibrahim Rifati, i cili erdhi nga Dragashi.
“Kam dëgjuar se shumë mirë po i përgatisin banjalluçkit në Prizren dhe kam ardhur nga Dragashi për t’i provuar. Kur vijë unë në Prizren, çdoherë këtu ha bukë, ka edhe të tjera qebaptore, por si banjalluçki nuk ka”.
“Banjalluçki nuk ka qenë më herët si traditë, por ka qenë me qebapë normalë. Aktualisht me gjithë respektin për të gjitha qebaptoret, por lokalet i kanë rregulluar dhe brumin e kanë prishur”.
Bakiu si shef kuzhine përgatit shumë lloje të tjera të ushqimeve, ndër to edhe tavën e Prizrenit.